Diplomati i njohur rikthehet në New York për të drejtuar misionin gjatë anëtarësisë së Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit në vitet 2022-2023 – Shqipëria është gati për detyrimet dhe përgjegjësitë që vijnë nga kjo anëtarësi, i tha ai kreut të OKB-së
Nga Ruben Avxhiu
Ambasadori i ri i Shqipërisë, në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, Ferit Hoxha, i ka paraqitur sot letrat kredenciale Sekretarit të Përgjithshëm, Antonio Guterres.
“E përgëzova për raportin e tij ambicioz ‘Agjenda Jonë e Përbashkët’ dhe e sigurova për mbështetjen e plotë të Shqipërisë në përpjekjet e përbashkëta në formimin e të ardhmes sonë”, shkroi me këtë rast Ambasadori Hoxha.
Për diplomatin e njohur kjo detyrë e re është edhe e vjetër. Ai ka drejtuar misionin e Shqipërisë në OKB edhe në vitet 2009-2015, kur edhe zuri fill puna konkrete e Shqipërisë për të siguruar një vend në Këshillin e Sigurimit. Punën e vijoi më pas Ambasadorja Besiana Kadare.
Në këto gjashtë vite, Ambasadorët Hoxha dhe Kadare kanë bërë dy herë rrokadën e posteve të tyre, si përfaqësues fuqiplotë të Shqipërisë, respektivisht në OKB dhe UNESCO.
Mandati i ri, i Ambasadorit Hoxha, fillon zyrtarisht sot pas pranimit të letrave kredenciale nga Sekretari Guterres. Ky i fundit, sipas diplomatit shqiptar, përshkroi gjatë ceremonisë së rastit kontributet kryesore të Shqipërisë dhe “bashkëpunimin e saj shembullor me OKB-në si një partner nga më të gjendshëm dhe bujarë, gjithmonë e gatshme për t’iu përgjigjur sfidave”.
Shqipëria do të jetë anëtare e Këshillit të Sigurimit për periudhën 2022-2023, një rast historik për vendin tonë, një mundësi e lakmuar nga të gjitha vendet e botës.
“Shqipëria është e gatshme të luajë rolin e saj për të kontribuar në përpjekjet globale për paqe dhe siguri duke iu bashkuar përpjekjeve për një botë më të mirë për të gjithë”, i tha Ambasadori Hoxha kreut të OKB-së.
Ai u shpreh në fund se shërbimi si Ambasador i Shqipërisë në OKB dhe përfaqësimi i vendit të tij në Këshillin e Sigurimit përbënin zenithin e karrierës së tij dhe nderin e jetës së tij dhe me këtë rast falenderoi kryeministrin Edi Rama dhe ministren e Jashtme Olta Xhaçka për besimin e treguar.