Ambasadori francez në Kosovë u bashkohet shqetësimeve për situatën veri

Prishtinë, 7 dhjetor 2022 – Ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guerot, pas ngjarjeve të fundit në veri, ka thënë se aktet e frikësimit janë shumë shqetësuese.

Në një postim në Twitter, Guerot ka theksuar se dialogu mes Kosovës e Serbisë është rruga e vetme para.

“Aktet e frikësimit janë shumë shqetësuese. Dialogu është rruga para”, ka shkruar ambasadori francez.

Të shtëna të shumta me armë zjarri, si edhe shpërthime, janë dëgjuar të martën në komunat veriore të Kosovës. Policia e Kosovës njoftoi edhe për demolimin e zyrave të komisioneve komunale të zgjedhjeve.

Këto akte ua kanë pamundësuar qasjen në zyra zyrtarëve të komisioneve komunale të zgjedhjeve. 

Këto incidente kanë ndodhur kur njësitë policore i kanë shoqëruar zyrtarët e zgjedhjeve nëzyrat e komisioneve komunale të zgjedhjeve në Zubin Potok e Mitrovicë Veriore, me qëllim të  kryerjes së detyrave dhe përghjegjësive të tyre ligjore.

(r.m.)