Preshevë, 29 mars 2023 – Ambasador i SHBA-së në Serbi, Christopher Hill, ka thënë se gjatë vizitës në Luginën e Preshevës është njoftuar nga afër me problemet dhe shqetësimet e qytetarëve në këtë rajon.
Pas takimit me kryetarin e Preshevës, Shqiprim Arifin, ai ka thënë se sapo të kthehet në Beograd do të shohë se çfarë mund të bëjë lidhur me adresimin e problemeve të shqiptarëve në Serbi.
“Ne kemi pasur një diskutim të detajuar dhe kryetari më ka njoftuar në detaje rreth problemeve të qytetarëve në Preshevë. Do të kthehem në Beograd dhe më lini të mendoj dhe të shoh se si mund të jem i dobishëm. por mendoj se është shumë e rëndësishme që njerëzit janë të qartë në atë çfarë thonë dhe çfarë kërkojnë”, ka deklaruar Hill, transmeton Telegrafi.
Ndërkaq, Arifi ka thënë se shqiptarët e Luginës nuk kanë të drejta të barabarta me minoritetet tjera në rajon. Ai ka theksuar se Lugina e Preshevës është diskriminuar edhe kur bëhet fjalë për investime.
“Ne kërkojmë që të drejtat tona në Luginë të Preshevës të respektohen, të garantohen, ashtu siç u garantohen të gjitha minoriteteve në rajon dhe jo vetëm të garantohen dhe e respektohen, por edhe të shtohen, si në aspektin e sasisë, sepse ne kemi mangu në drejtat tona. Ne kemi mangu edhe investimet nga Qeveria Serbe”, është shprehur Arifi.
Ai e ka theksuar problemin e pasivizimit të adresave të shqiptarëve, i cili ka qenë temë e veçantë e bisedës me ambasadorin Hill.
“Kjo ka qenë kërkesa ime dhe këtu ka zënë shumë vend plani shtatë pikësh, i cili duhet të kontekstualizohet në ditët e sotme, sepse është plan i vjetër, por i cili, në parim, i përmban kërkesat tona për ta krijuar një kualitet të jetës në Luginë të Preshevës, përveç asaj të pasivizimit, i cili ka qenë një temë e veçantë e jona për të cilën e informova në detaje ambasadorin Hill”, ka thënë kryetari i Preshevës, Shqiprim Arifi.
Gjatë vizitës dy ditëshe në Luginë të Preshevës, ambasadori amerikan e ka vizituar edhe Bujanovcin, ku është takuar me kryetarin Nagip Arifi dhe me përfaqësues politikë të kësaj komune.
Ai është takuar në Bujanovc edhe me deputetin e vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi.
Në të gjitha takimet, udhëheqësit e pushtetit lokal dhe përfaqësuesit e subjekteve politike shqiptare kanë shprehur shqetësimet për diskriminimin e shqiptarëve nga Qeveria e Serbisë, duke theksuar pasivizimin e adresave, shkallën e lartë të papunësisë, mungesën e investimeve mungesën e përfaqësimit proporcional në organet e shtetit, në administratë dhe në kompanitë publike, mungesën e shërbimeve etj.
(r.m.)