Prishtinë, 2 nëntor 2022 – Ambasadori i Shteteve të Bashkuar të Amerikës në Kosovë, Jeff Hovenier, e ka dënuar djegien e veturave me targa RKS në veri të Kosovës. Njëkohësisht ka bërë thirrje edhe një herë që zbatimi i vendimit për konvertimin e targave të shtyhet.
“SHBA e dënon djegien ose shkatërrimin e pronës dhe çdo përpjekje për të frikësuar ata që kanë ose synojnë të marrin targa të veturës RKS sipas ligjit të Kosovës. Këto janë vepra frikacake dhe kriminale”, ka shkruar ambasadori Hovenier në një postim në Twitter, të mërkurën.
The U.S. condemns burning or destroying property and any effort to intimidate those with or intending to obtain RKS car plates under Kosovan law. These are cowardly and criminal acts. 1/2
— Ambassador Jeff Hovenier (@USAmbKosovo) November 2, 2022
Por, ambasadori Hovenier ka përsëritur sërish thirrjen e Shteteve të Bashkuara për “shtyrjen e plotë të zbatimit të vendimit për targat”, duke përmendur po ashtu se Kosova ka të drejtë të zbatojë këtë vendim.
Të mërkurën në orët e para të mëngjesit një personi të komunitetit serb në Zubin Potok iu dogj vetura sepse i kishte konvertuar targat ilegale të lëshuara në Serbi me targa RKS.
Edhe dy vetura të tjera u dogjën në Leposaviq pasi kishin vendosur t’i ekonvertonin targat.
Sipas Ministrisë së Brendshme të Kosovës, 20 pronarë të veturave e kanë shfrytëzuar afatin për t’i kthyer targat nga ilegale në targa RKS deri më 31 tetor.
Autoritetet në Serbi kundërshton konvertimin e targave ilegale të lëshuara në Serbi me targa RKS. Beogradi kërkon që serbët të pajisen me targa neutrale ndaj statusit të Kosovës.
(r.m.)