Ambasadori Hovenier takon ministren Gërvalla dhe diplomaten Merdiana Leci që shërbeu në DASH

Prishtinë, 11 janar 2022 – Ambasadori i ri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka takuar sot ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës të Kosovës, Donika Gërvalla, dhe diplomaten e parë të Kosovës që shërbeu si oficere ndërlidhëse në Departamentin Amerikan të Shtetit, Merdiana Leci.

Hovenier, në një postim në Twitter, ka shkruar se ai kishte një diskutim shumë produktiv me ministren Gërvalla dhe me diplomaten Leci.

“Diskutim produktiv  dhe frymëzues me ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla dhe me Merdiana Lecin, diplomaten e parë të Kosovës që shërbeu si oficere ndërlidhëse në Departamentin Amerikan të Shtetit në Uashington. Ky program do të forcojë mirëkuptimin dhe bashkëpunimin SHBA-Kosovë në prioritetet e përbashkëta të politikës së jashtme”, ka shkruar Hovenier.

Ambasadori Hovenier i ka dorëzuar të hënën letrat kredenciale te presidentja Vjosa Osmani.

Me këtë rast ai ka deklaruar se SHBA do të vazhdojë të jetë aleate e qëndrueshme e Kosovës.

(r.m.)