Prishtinë, 10 janar 2022 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pranuar sot letrat kredenciale nga ambasadori i ri i SHBA-ve në Kosovë, Jeffrey Hovenier.
Në një adresim të përbashkët për medie, Presidentja Osmani ka thënë se Kosova ka ecur shumë përpara, mirëpo ka qenë përherë konsistente në marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në një deklaratë për medie, Presidentja Osmani ka thënë se Kosova është e bekuar që e gëzon përkrahjen e Shteteve të Bashkuara dhe ka shprehur bindjen se marrëdhëniet midis dy vendeve do të thellohen edhe më shumë.
“Kosova sot është shumë ndryshe nga Kosova të cilën e kujton ambasadori.Ne jemi rritur e zhvilluar si shtet, por një gjë është e njëjtë -marrëdhënia me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Jemi të bekuar që kemi Shtetet e Bashkuara përkrah në çdo hap të rrugëtimit tonë. Në këtë kapitull të ri të bashkëpunimit shpresoj të forcojmë edhe me tej marrëdhëniet tona. Besoj fuqishëm se, pavarësisht se sa i madh apo i vogël mund të jetë një shtet, ne të gjithë mund të japim kontributin tonë për paqen në rajon dhe në botë”, ka thënë ajo.
“Vendi ynë, Kosova, i beson dhe i përfaqëson vlerat që i përfaqësojnë Shtetet e Bashkuara. Dy popujt tanë besojnë në liritë demokratike dhe ne jemi të vendosur t’i mbrojmë ato gjithmonë, meqë i kemi fituar me shumë mund e sakrifica”, ka theksuar Presidentja Osmani.
Ajo ka thënë se Kosova është aleatja më e përkushtuar e Shteteve të Bashkuara.
“Nuk do të keni asnjëherë aleatë më të përkushtuar se Kosova. Mirë se vini dhe mezi pres të punojmë së bashku”, është shprehur Presidentja e Kosovës.
Ambasadori Hovenier e ka cilësuar nder për të shërbimin në Kosovë.
“Është nder për karrierën time që kam punuar në procese që kanë pasur të bëjnë për Kosovën dhe nder për jetën time që do të punoj këtu”, ka thënë ai.
Honevier ka thënë se në Kosovë ka ende punë për t’u bërë dhe ka theksuar se SHBA-ja do të vazhdojë të jetë partnere e qëndrueshme e Kosovës.
“Ka ende shumë punë për të bërë, sikurse në çdo shtet tjetër. SHBA-ja është partnere e qëndrueshme e Kosovës. Presidenti Biden ma besoi detyrën në një kohë kur këtu ka ende punë të papërfunduara. Do të punojmë bashkë me ju, me Qeverinë, me shoqëritë civile dhe me qytetarët tuaj. Zotimet e presidentes në Samitin për Demokracinë për zhvillimin e institucioneve të pavarura e të sistemit gjyqësor janë shumë të rëndësishme që të ecim përpara drejt institucioneve euro-atlantike. Është fillim i mbarë i një bashkëpunimi dhe një hap i mrekullueshëm”, ka thënë Hovenier.
Ambasadori Hovenier është njohës shumë i mirë i procesit të shtetformit të Kosovës. Ai ka qenë pjesë e stafit të të dërguarit të posaçëm të Kombeve të Bashkuara për statusin e Kosovës.
(r.m.)