Për herë të parë në histori, do të ketë një prefekte shqiptaro-amerikane në Fairview, New Jersey
Ambasadori i Republikës së Kosovës, Blerim Reka, mori pjesë dje në ceremoninë e betimit solemn të Prefektes së qytezës amerikane Fairview (Feirvju), Violetta Berisha, në shtetin New Jersey (Nju Xhersi).
Kjo është shqiptaro-amerikanja e parë që zgjidhet në krye të kësaj qyteze, në historinë e saj 139 vjeçare.
Ambasadori Reka që drejton Konsullatën e Përgjithshme të Kosovës në New York ishte mes një numër personalitetesh të politikës amerikane që morën pjesë në këtë ceremoni. Mes tyre ishin edhe guvernatori i Nju Xhersit, Phil Murphy, kongresisti Bill Pascrell, e të tjerë.
“Violetta na bëri krenarë gjithë shqiptarëve”, shkroi për këtë ngjarje në faqen e tij zyrtare në Facebook, Ambasadori Blerim Reka. (Illyria)


