Ambasadorja amerikane në NATO: Palët të ndërmarrin veprime të menjëhershme për uljen e tensioneve në veri

Bruksel, 14 qershor 2023 – Ambasadorja e SHBA-ve në NATO, Julianne Smith, ka thënë se SHBA dhee aleatët e saj në NATO u kanë bërë thirrje të gjitha palëve që të ndërmarrin veprime të menjëhershme për uljen e tensioneve në veri të Kosovës.

“Aleatët e NATO-s kanë vëzhguar ngjarjet e fundit në Kosovë me interesim të madh dhe kemi disa shqetësime sigurisht. Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, aleatët, kanë kërkuar veprime të menjëhershme për shtensionimin e situatës. Ky është prioriteti numër një. SHBA, sikurse të tjerët e dënuan dhunën kundër trupave të NATO-së, veçanërisht trupave nga Hungaria dhe Italia dhe besojmë se ata që janë përgjegjës për dhunën duhet të japin llogari, përmes një procesi të duhur dhe transparent”, ka thënë zonja Smith, në një konferencë virtuale me gazetarë.

“Natyrisht, ju i keni dëgjuar aleatët dhe Sekretarin e Përgjithshëm, para së gjithash, që u kanë bërë thirrje të gjitha palëve që të ndërmarrin veprime të menjëhershme për të de-përshkallëzuar situatën. Ky është prioriteti numër një”, ka theksuar ajo.

Ambasadorja Smith ka thënë se SHBA kërkon nga Kosova që t’i tërheqë njësitet policore nga ndërtesat komunale në veri.

“I dërguari i Departamentit të Shtetit, Gabriel Escobar, e vizitoi rajonin për ta inkurajuar kryeministrin Kurti dhe qeverinë e tij që të sigurohet se kryetarët e zgjedhur t’i ushtrojnë detyrat e tyre tranzicionale në lokacione alternative. Po ashtu i kemi inkurajuar që t’i tërheqin forcat policore nga hapësirat e objekteve komunale”, ka thënë ajo.

Ambasadorja Smith ka thënë se SHBA e ka mirëpritur vendimin e Serbisë për uljen e shkallës së gatishmërisë ushtarake.

“Kjo ishte me rëndësi për të filluar tërheqja e trupave dhe pajisjeve të tyre nga kufiri me Kosovën”, ka thënë ajo.

Ambasadorja amerikane në NATO Smith ka theksuar se dialogu i lehtësuar nga BE-ja është e vetmja rrugë përpara.

“Dialogu i lehtësuar nga BE-ja që është e vetmja rrugë përpara. Ne, si NATO, ashtu edhe BE-ja do ta shtyjmë këtë dialog të lehtësuar si rrugën e duhur përpara”, ka thënë ajo.

(r.m.)