Tiranë, 16 shtator 2022 – Ambasadorja e SHBA-ve në Shqipëri, Yuri Kim, ka zhvilluar sot takime me kreun e grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, dhe me grupit parlamentar të PD-së, Enkelejd Alibeaj, i cili kontestohet nga një pjesë e grupit.
Me anë të një postimi në Facebook, Alibeaj tha se në qendër të bisedës ishin sezoni i ri parlamentar dhe sfidat e reja për Kuvendin.
“Sot zhvillova një takim të frytshëm pune me Ambasadoren e ShBA në Tiranë Zonjën Yuri Kim.
Nisja e sezonit të ri parlamentar dhe sfidat e reja gjatë kësaj periudhe ishin në qendër të bisedës. Disa nga çështjet kryesore ishin përmirësimi i legjislacionit në fuqi, reforma administrative – territoriale dhe ecuria e Grupit Parlamentar të PD-së.
E falenderova zonjën Kim për mbështetjen që SHBA i ka dhënë Shqipërisë në përballjen me sulmin kibernetik të Iranit.
E sigurova se PD i është mirënjohëse ShBA-ve që përgjatë gjithë historisë së re dhe të vjetër të vendit tonë, ka patur mbështetjen e vazhdueshme të Amerikës!”, shkruan Alibeaj.
Ndërkaq Balla e cilësoi të frytshëm takimin me ambasadoren Kim. Në postimin e tij në Facebook, Balla fokusohet te bashkëpunimi midis dy vendeve dhe mbështetja amerikane për Shqipërinë.
“Gjithmonë të frytshme takimet me Ambasadoren e SHBA-ve në Tiranë Yuri Kim. Bashkëpunimi me Shtetet e Bashkuara të Amerikës është sot në një nivel të shkëlqyer në dobi të zhvillimeve demokratike, të forcimit të shtetit ligjor dhe të parimeve të ekonomisë së tregut, në mbështetje të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, të ruajtjes së stabilitetit, paqes e prosperitetit në rajonin tonë e më gjerë, luftës kundër terrorizmit si dhe në qasjen e përbashkët mbrojtëse dhe reaguese ndaj sulmeve kibernetike.
Jemi mirënjohës SHBA-ve dhe Ambasadës në Tiranë për bashkëpunimin dhe mbështetjen gjatë gjithë këtyre viteve që i kanë dhënë Shqipërisë në mënyrë të veçantë gjatë hartimit dhe zbatimit të Reformës në Drejtësi si dhe në ngritjen e forcimin e kapaciteteve institucionale në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Ne do të vazhdojmë të punojmë ngushtësisht me Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e tjerë edhe në përmirësimin e kuadrit ligjor për financimin e partive politike dhe fushatave zgjedhore. Rusia është e përfshirë prej kohësh në sulmet ndaj demokracisë në shumë vende përmes financimit të partive politike dhe aktorëve të tjerë. Kujtoj se Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar në dhjetor 2019 një Rezolutë “Për ndërhyrjet e huaja në proceset zgjedhore dhe dezinformimin në proceset demokratike kombëtare”, duke iu referuar pikërisht këtyre kërcënimeve dhe duke u kërkuar institucioneve marrjen e të gjitha masave mbrojtëse dhe parandaluese”, shkruan Balla.
(r.m.)