Uashington, 6 nëntor 2022 – Ambasadorja e SHBA-ve në Kombet e Bashkuara, Linda Thomas-Greenfield, do të vizitojë Shqipërinë dhe Poloninë, prej datës 6 deri më 9 nëntor, raporton Zëri i Amerikës.
Në një njoftim për shtyp të zyrës së zonjës Thomas-Greenfield thuhet se, gjatë takimeve në këto dy vende, ajo do të përsërisë “mbështetjen e palëkundur të Uashingtonit për të dy aleatët, që po punojnë me ne për t’iu përgjigjur krizës së shkaktuar nga lufta brutale e Rusisë kundër Ukrainës”.
Zyrtarja e lartë amerikane do të diskutojë me zyrtarët e dy vendeve dhe mbi mundësinë e forcimit të bashkëpunimit për prioritete të përbashkëta, sikurse çështjet e energjisë dhe sigurisë ushqimore, forcimi i aleancës transatlantike dhe mbajtja e Rusisë përgjegjëse për mizoritë e kryera në Ukrainë.
Ambasadorja Thomas-Greenfield pritet gjithashtu të falenderojë aleatët mbi mënyrat e shumta e të rëndësishme me të cilat po ndihmojnë popullin e Ukrainës duke garantuar gjithëaq mbrojtje të parimeve të Kartës së Kombeve të Bashkuara.
Në takimet me zyrtarët qeveritarë në Shqipëri, ambasadorja Thomas-Greenfield do të përcjellë mirënjohjen mbi rolin udhëheqës e të jashtëzakonshëm që ka treguar Shqipëria si anëtare e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për një gamë të gjerë çështjesh që shqetësojnë në mbarë botën. Vizita e saj vjen në përvjetorin e 100-të të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike SHBA-Shqipëri, ndaj dhe ambasadorja Thomas-Greenfield do të diskutojë gjithashtu dhe mbi mënyrat për të forcuar partneritetin mes dy vendeve.
Në Poloni, ambasadorja Thomas-Greenfield do të takohet me zyrtarë dhe organzata humanitarë si dhe do të vëzhgojë operacionet humanitare të OKB-së që mbështesin më shumë se 1.4 milionë refugjatë nga Ukraina.
(r.m.)