Tiranë, 9 shkurt 2022 – Ambasadorja e SHBA-së në Shqipëri, Yuri Kim, ka zhvilluar sot një takim me kryeministrin Edi Rama. Takimi u realizua një javë para vizitës së Ramës në Uashington.
Ambasada e SHBA-së në Tiranë, përmes një postimi në Facebook, njoftoi se ambasadorja Kim e ka përshëndetur “mbështetjen e fortë dhe parimore të Shqipërisë për Ukrainën përballë agresionit rus”.
Në njoftim thuhet se shefja e misionit diplomatik amerikan në Shqipëri ka thënë se lufta kundër korrupsionit është prioritet kryesor për Shtetet e Bashkuara dhe ka theksuar se barra kryesore e përgjegjësisë bie mbi ata që qeverisin.
Në takim është biseduar edhe për forcimin e institucioneve demokratike në Shqipëri, për forcimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes, për rritjen e shkëmbimeve tregtare midis dy vendeve dhe për rritjen e investimeve amerikane në Shqipëri.
Gjatë qëndrimit në Uashington Edi Rama do të takohet me Sekretarin e Shtetit të SHBA-së, Antony Blinken.
Njoftimi i ambasadës së SHBA-së:
Ambasadorja Kim u takua sot me kryeministrin Rama përpara vizitës së tij në Uashington DC. Ajo përshëndeti mbështetjen e fortë dhe parimore të Shqipërisë për Ukrainën përballë agresionit rus, qoftë si aleate e NATO-s ashtu edhe në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, ku SHBA-të janë krenare që do të punojnë me Shqipërinë si “bashkë-penëmbajtëse” për Këshillin në çështjet e Ukrainës. Ambasadorja Kim nënvizoi se lufta kundër korrupsionit është prioritet kryesor për Shtetet e Bashkuara, duke vërejtur se barra e përgjegjësisë është natyrshëm më e madhe mbi ata që qeverisin. Ata biseduan gjithashtu mbi rëndësinë e forcimit të institucioneve demokratike, përparimin historik në forcimin e marrëdhënies sonë në mbrojtje, dhe hapat e mëtejshëm për të rritur tregtinë dhe investimet midis SHBA-së dhe Shqipërisë.
(r.m.)