Ambasadorja Kim është optimiste se SHBA do t’i heqë vizat për shqiptarët

Tiranë, 20 janar 2023 – Ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim, u shpreh optimiste ndërsa foli për një liberalizim të mundshëm të vizave me SHBA.

“Një nga gjërat e mëdha që bëmë në vitin 2022 ishte rritja e vlefshmërisë së vizave nga tre vjet në dhjetë vjet, çka do të thotë se shqiptarët po i ndjekin rregullat gjithnjë e më shumë, kur vjen fjala te vizat. Dhe synimi ynë, Shteteve të Bashkuara, është të arrijmë në një pikë ku ka mjaftueshëm njerëz që i ndjekin rregullat, ku ka mjaftueshëm begati dhe mjaftueshëm shkëmbime midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë sa të mund të mos kemi viza. Pra, ky është synimi i madh dhe mendoj se do arrijmë atje”, tha ambasadorja Kim në  një intervistë me gazetarin Sokol Balla për emisionin “Real Story”.

Ajo ka thënë se zgjatja e afatit të vizës amerikane në 10 vjet për qytetarët shqiptarë do të thotë se SHBA-ja është optimiste se liberalizimi i vizave mund të bëhet në 10 vjetët e ardhshme.

“Kur vendosim të japim viza dhjetë-vjeçare, kuptimi është që jemi optimistë për dhjetë vitet e ardhshme. Nuk bëj dot parashikime se kur saktësisht (shqiptarët) do të mund të udhëtojnë pa viza fare, por mund të them se jemi në drejtimin e duhur. Një nga këta tregues është tregtia, biznesi midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë”, theksoi ambasadorja Kim.

Pjesë nga intervista:

Sokol Balla: Kur thatë që do të arrijmë atje, tek heqja e vizave? Kur mendoni se do ndodhë kjo?

Ambasadorja Yuri Kim: Varet nga çfarë ndodh në Shqipëri. Por, mund të them këtë: Kur japim, kur vendosim të japim viza dhjetë-vjeçare, kuptimi është që jemi optimistë për dhjetë vitet e ardhshme. Nuk bëj dot parashikim se kur saktësisht do të mund të udhëtojmë pa viza fare, por mund të them se jemi në drejtimin e duhur. Një nga këta tregues është tregtia, biznesi midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë.

Sokol Balla: Po, i kemi grafikët.

Ambasadorja Yuri Kim: Shihni shifrat.

Sokol Balla: Mrekulli. I pashë më herët.

Ambasadorja Yuri Kim: Deri në shtator 2022, investimet e huaja direkte nga SHBA janë 213 milionë dollar, pothuajse dy herë më shumë se sa ishte në vitin 2019, para pandemisë. Investimet e SHBA-së në shëndetësi, në shërbime financiare, në energji dhe në teknologjinë e informacionit e në turizëm po rriten. Këtu tani kemi kompani si kurrë më parë, sidomos në sektorin IT-së dhe po marrin gjithnjë e më shumë njerëz në punë e po trajnojnë gjithnjë e më shumë. Kemi edhe një njëbrirësh këtu – IntelyCare. Tregtia u dyfishua nga viti 2019, nga 139 milionë arriti në 235 milionë dollarë. Eksportet shqiptare për në SHBA pothuajse u trefishuan nga viti 2019, nga 53 milionë arritn në 137 milionë. Ka erëza, bimë mjekësore…Në fakt, mendoj se 70 për qind e sherebelës që importohet në SHBA vjen nga Shqipëria. Por, sot importojmë nga Shqipëria edhe produkte alumini, përfshirë pjesë makinash. Dhe ky është lajm i madh.

Sokol Balla: Shqipëria prodhon pjesë makinash për industrinë amerikane të makinave?

Ambasadorja Yuri Kim: E saktë.

Sokol Balla: Tingëllon pak, si të them, e pabesueshem. Industria amerikane e makinave është ajo që e nxit vetë ekonominë amerikane.

Ambasadorja Yuri Kim: Mendoj se nga Shqipëria, një nga gjërat që njerëzit e kanë të lehtë t’i besojnë, janë lajmet e këqija, por e kanë shumë të vështirë t’i besojnë lajmet e mira. Andaj erdha e armatosur me disa fakte, për t’ju treguar që s’po i sajoj. Këto janë fakte.

Ekonomia, tregtia e Shqipërisë me Shtetet e Bashkuara, biznesi me Shtetet e Bashkuara, po arrijnë më lart se kurrë, në majë. Dhe këtë e shihni tek ato pikat e grafikut. Është një kërcim gjatë periudhës 2014 – 2016, për shkak të një eksporti të madh të naftës bruto nga Shqipëria në SHBA në atë kohë. Por, në tërësi, mund ta shohësh që prirja është e drejtuar lart fare, në qiell. Dhe duam ta ruajmë këtë.  Një nga çelësat do të jetë reforma në drejtësi sepse vendimet që marrin bizneset bazohen në një numër faktorësh.

Kyçe ndër këto do të jetë nëse rregullat janë racionale dhe të qarta; nëse proceset janë transparente dhe të shpejta; dhe nëse ka gjykata të pastra sepse bizneset nuk janë gjithnjë të lumtura. Ndonjëherë ka mosmarrëveshje rreth kontratave dhe biznesmenët amerikanë duan të kenë besim se nëse do të ketë ndonjë mosmarrëveshje për kontratat, të mund ta çojnë çështjen në gjykatë, të ketë me kohë seanca dhe të ketë një gjykim të dhënë mbi bazën e ligjit, jo mbi bazën frikës apo të ndonjë favori.

Sokol Balla: Ajo që quhet siguri juridike. Pra, do të thotë se shkon në gjykatë dhe beson tek vendimi isaj nëse është i drejtë, pavarësisht cili është ai vendim.

Ambasadorja Yuri Kim: E saktë. Kemi parë disa incidente tani që tregojnë se ende ka probleme kur bëhet fjalë për mosmarrëveshje lidhur me kontratat këtu në Shqipëri. E ndjejmë këtë nga bizneset amerikane dhe e di me siguri që edhe shqiptarët, njerëzit e zakonshëm, e ndjejnë këtë. Edhe ata e përjetojnë këtë. Andaj ne përqendrohemi kaq shumë tek reforma e gjyqësorit.

(Sipas abcnews.al)