Ambasadorja Kim mirëpret dekretimin e gjyqtares së dhjetë të Gjykatës së Lartë

Tiranë, 16 shkurt 2022 – Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, Yuri Kim, e ka përshëndetur dekretimin e Arbena Ahmetit anëtare të Gjykatës së Lartë nga Presidenti i Republikës, Ilir Meta.

“Ne e mirëpresim bashkëpunimin e vazhdueshëm ndërmjet institucioneve për zbatimin e reformës në drejtësi, përfshirë emërimin e sotëm të gjyqtarit të 10-të të Gjykatës së Lartë. Kjo rrit funksionalitetin e Gjykatës së Lartë dhe gjithashtu mundëson që Gjykata e Lartë ta emërojë një gjyqtar të Gjykatës Kushtetuese”, shkruan ambasadorja Kim në Twitter.

Arbena Ahmeti, e cila u dekretua të mërkurën nga Presidenti Meta është gjyqtarja e dhjetë e Gjykatës së Lartë. Presidenti Meta i ka bërë thirrje Këshillit të Lartë Gjyqësor që t’I përshpejtojë procedurat për emërimin e nëntë gjuqtarëve të tjerë të kësaj gjykate.

Gjykata e Lartë duhet t’i ketë gjithsej 19 gjyqtarë.

(r.m.)