Ambasadorja Kim në SPAK: “Mos u ndikoni nga presionet. Luftoni krimin e korrupsionin!”

Tiranë, 5 janar 2023 – Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, Yuri Kim, ka zhvilluar sot (e hënë) një vizitë në Prokurorinë Speciale Kundër Krimit të Organizuar e Korrupsionit (SPAK).

Gazetarja Klodiana Lala raportoi për News 22 se ambasadorja Kim është takuar me kryetarin e SPAK, Altin Dumani, dhe me prokurorë të tjerë të kësaj prokurorie.

Sipas saj, ambasadorja amerikane i ka inkurajuar të gjithë prokurorët që të luftojnë krimin e korrupsionin dhe të sigurojnë prova e fakte për ndëshkimin e të gjithë atyre që cilësohen si “peshqit e mëdhenj” të krimit e korrupsionit. Ajo u ka kërkuar prokurorëve që të mos intimidohen apo të ndikohen nga presionet apo një njerëzit me pushtet, por të bëjnë drejtësi.

Vetë ambasadorja nuk është prononcuar për medie pas daljes nga ambientet e SPAK-ut.

Kjo ishte vizita e parë e ambasadores amerikane në SPAK, pas zgjedhjes së Altin Dumanit në krye të kësaj prokurorie.

Ambasadorja Kim ishte shumë e përfshirë në procesin e zgjedhjes së kreut të SPAK-ut. Ajo mori pjesë personalisht në mbledhjen e Këshillit të Lartë Prokurorial, ku u votua për kreun e ri të SPAK-ut.

Altin Dumani i mori 5 vota, Edvin Kondili i mori 4 vota, kurse Adnan Xholi e mori vetëm 1 votë.

(r.m.)