Ambasadorja Kim: Partitë të njohin rezultatin e zgjedhjeve

Tiranë, 18 maj 2021 – Ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim, është shprehur se është e rëndësishme për Shqipërinë që të gjitha palët politike të njohin rezultatin e zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit.

“Pikëpamja jonë është shumë e qartë. Në deklaratën që nxorëm nga Uashingtoni, vërejtëm se është me rëndësi që të gjitha partitë të njohin rezultatet e zgjedhjeve dhe, për sa është e mundur, partitë tani duhet të mendojnë si t’i shërbejnë popullit shqiptar, të gjithë qytetarëve shqiptarë. Ne po presim me kënaqësi të punojmë me të gjitha palët, të shohim se çfarë mund të bëjmë së bashku, Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria. Më duhet të them se më e rëndësishmja për ne është që Shqipëria ka qenë tepër gjatë pa një opozitë të plotë në Parlament”, ka thënë Kim, në një intervistë në televizionin Klan.

Ajo ka thënë se SHBA pret që Partia Demokratike të kthehet në parlament në muajin shtator.

“Tani, teksa presim shtatorin, presim me kënaqësi që Partia Demokratike, e cila është një parti e rëndësishme që ka dhënë kontribute shumë të rëndësishme, historike për zhvillimin e Shqipërisë, të kthehet në parlament dhe jemi shumë të kënaqur të shohim deklaratat e tyre ku bëjnë të qartë se kur të vijë shtatori do të kthehen në parlament”, është shprehur ajo.

Ambasadorja Kim, duke iu referuar deklaratave të kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka thënë se kjo parti do të jetë e pranishme në parlament, pavarësisht prej kundërshtimeve.

“Po të shohësh deklaratat e Lulzim Bashës dhe të kujtdo tjetri në PD, është shumë e qartë që pavarësisht çfarëdo kundërshtimesh që të kenë do të jenë në parlament në shtator. Dhe kjo është vërtet e rëndësishme”, ka thënë ajo.

Shefja e misionit diplomatik të SHBA-së në Shqipëri ka thënë se pozicioni i vendit të saj është i qartë dhe do të bashkëpunojë me të gjitha palët, pavarësisht se kush do të jetë në pushtet.

“Detyra ime është të përfaqësoj Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të përfaqësoj pozicionin e vendit tim. Dhe kur vjen fjala te kjo, ne duam marrëdhënie të ngushta me Shqipërinë. Duam që të jetë edhe më e ngushtë dhe nuk ka rëndësi kush është në pushtet. Kemi punuar jashtëzakonisht mirë me cilindo ka qëlluar të jetë zgjedhur nga populli shqiptar dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë”, është shprehur ajo.

Ambasadorja Kim e ka përsëritur vlerësimin se zgjedhjet e 25 prillit ishin të rregullta, pavarësisht problemeve që u shfaqën gjatë procesit të votimit.

“Ekspertët e ODIHR-it, të cilët janë vërtet ekspertë për zgjedhjet, kanë nxjerrë gjetjet e tyre fillestare dhe ne i kemi mbajtur shënim. Për shembull, ata vërejnë që zgjedhjet ishin të rregullta dhe i përgëzuan autoritetet për administrimin e zgjedhjeve shumë mirë. Megjithatë, vërejtën edhe disa probleme dhe pritshmëria jonë, si SHBA, është që ato probleme të trajtohen.  Por, për pjesën më të madhe, siç e patë në deklaratën që e nxorëm nga Uashingtoni, e përgëzuam popullin shqiptar për zgjedhje të mira dhe e uruam Kryeministrin Rama për fitoren. Po ashtu, i uruam partinë e opozitës për zhvillimin e një fushate shumë të fortë. Prandaj, mendoj që, në tërësi, duhet të jemi të kënaqur me mënyrën si u zhvilluan zgjedhjet”, ka thënë ambasadorja e SHBA-së në Shqipëri.

Ambasadorja Kim nuk ka dashur të komentojë nismën e Partisë Socialiste për shkarkimin e Presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta, të cilën e ka cilësuar si “çështje të brendshme”. Ajo nuk ka dashur t’i komentojë as raportet mes saj e PresidentitMeta.

“Mendoj që Shtetet e Bashkuara kanë pasur gjithmonë një marrëdhënie të frytshme dhe të fortë me udhëheqësit e këtij vendi. Do të ketë raste kur mund të kemi mosmarrëveshje, por ajo që mbetet nga fillimi deri në fund është që Shtetet e Bashkuara kanë interes të fortë për të pasur një marrëdhënie të mirë me Shqipërinë dhe unë do të bëj më të mirën që mundem për t’u siguruar që të vazhdojë kështu” ështëshprehur ajo.

(r.m.)