Tiranë, 13 prill 2021 – Ambasadorja amerikane në Shqipëri, Yuri Kim, ka ritheksuar deklaratën e saj se SHBA-të nuk e mbështesin asnjë kandidat apo parti të caktuar, por e mbështesin të drejtën e qytetarëve për të shprehur vullnetin e tyre përmes votes së lirë.
“Unë shoh disa tituj çorientues. Ju lutemi shikoni të gjithë intervistën. SHBA NUK mbështet ndonjë kandidat ose parti të caktuar – SHBA mbështet të drejtën e qytetarëve për të bërë të njohur vullnetin e tyre përmes votës së tyre. SHBA paralajmëron kundër atyre që e mohojnë këtë të drejtë duke blerë vota ose duke frikësuar votuesit”, ka shkruar ambasadorja Yuri Kim, në “Twitter”.
Ambasadorja Kim e ka bërë këtë postim për të qartësuar plotësisht pozicionin e SHBA-ve ndaj zgjedhjeve parlamentare që do të mbahen më 25 prill.
Ajo e ka shprehur këtë qëndrim edhe në emisionin “Përballë”.
“Mendoj se nuk është ky roli ynë. Nëse pyesni a e vrasim mendjen për çfarë ndodh? Po, e vrasim mendjen. A kemi një kandidat të preferuar? Jo, nuk kemi. Nuk është ky pozicioni i Shteteve të Bashkuara. Ajo për të cilën e vrasim mendjen janë institucionet dhe proceset. Dhe, prandaj nuk flas për këtë kandidat apo për atë kandidat, për këtë apo për atë parti, por flas për rëndësinë, për rëndësinë kritike që ka që të sigurohemi që rregullat dhe proceset janë të ndershme, janë transparente, që fusha e lojës është e njëjtë për të gjithë dhe që rregullat të zbatohen në kohë, që të gjithë t’i kenë të njëjtat shanse. Kjo është ajo për të cilën kemi interes”, është shprehur Yuri Kim.
Shefja e misionit diplomatik amerikan në Shqipëri ka theksuar se vota është pushteti i qytetarëve dhe këtë duhet ta ushtrojnë qytetarët më 25 prill.
“Votuesit shqitparë janë shpresa e parë më e mirë. Kjo është baza e çdo demokracie, votuesit. Ndaj mendoj që njerëzit i kanë bombarduar të besojnë se nuk kanë pushtet. Fakti që dikush përpiqet të blejë votën tënde duhet të tregojë se nuk jeni pa pushtet. Ky është pushteti juaj. Vota jote është pushteti yt.
Shqiptarët që takoj kudo në vend më thonë se u ka ardhur në majë të hundës nga korrupsioni,u ka ardhur në majë të hundës nga pandëshkueshmëria, u ka ardhur në majë të hundës nga kriminelët që ulen në parlament. Epo, ky është momenti.
Ma tregoni me veprime, tregojeni me veprimet tuaja se e keni seriozisht. Nuk mund të ndodhë që më kërkoni opinionin tim si Shtetet e Bashkuara. unë jua jap dhe pastaj ju vazhdoni të bëni të njëjtën gjë. Nëse doni ndryshim, votoni për ndryshim. Nëse doni kriminelë, votoni për kriminelë. Por, ajo që bëni duhet të përputhet me atë që thoni se doni. Dhe 25 prilli është momenti”, është shprehur Kim.
(r.m.)