Ambasadorja Kim takohet me Enkelejd Alibeajn

Tiranë, 5 prill 2022 – Ambasadorja e SHBA-së në Shqipëri Yuri Kim të martën paradite ka shkuar në Kryesinë e Kuvendit të Shqipërisë. Mediet në Shqipëri raportojnë se  ajo po zhvillon një takim me Kryetarin e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj, i cili është edhe kryetar i komanduar i partisë.

Takimi ka nisur në 11:30 dhe po vijon ende.

Një ditë më parë, diplomatja amerikane është takuar edhe me kryetaren e Kuvendit, Lindita Nikolla, por pas takimit nuk treguan se për çfarë kanë biseduar.

Mediet raportuan të hënën se Alibeaj ishte përfaqësues i Partisë Demokratike në negociatat me Partinë Socialiste për emrin e Presidentit të ardhshëm të Shqipërisë, por Alibeaj mohoi të jetë pjesë e këtyre negociatave.

Në një mesazh drejtuar deputetëve të PD-së, Alibeaj shkruante se nuk ka marrë pjesë në asnjë takim të tillë, as në emrin e tij dhe as në emtin e grupit parlamentar. Ai ka theksuar se çdo çështje e axhendës parlamentare apo organizative është kompetencë e grupit parlamentar.

“Të nderuar kolegë, të nxitur nga reagimet në media, të stisura mesa duket, ju sqaroj se nuk ka ndodhur ndonjë takim i imi, as imagjinar, as në titull personal, as në emër të grupit me ndokënd për çështje negociatash për ndonjë çështje. Siç edhe është organizuar veprimtaria e grupit parlamentar tonit, për çdo çështje të axhendës parlamentare, apo organizative, gjithçka mbetet kompetencë e mbledhjes së grupit parlamentar. Ky sqarim mbase i tepërt është për secilin prej jush nëse lexon apo pyetet për lajme të stisura. Ju uroj punë të mbarë në vazhdim”, ka shkruar Alibeaj.

(r.m.)