Ambasadorja Kim viziton TEC-et lundruese në Vlorë

Tiranë, 26 shtator 2022 – Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, Yuri Kim, së bashku me ministren e Energjisë dhe Infrastrukturës Belinda Balluku, vizitoi të hënën dy termocentralet (TEC) lundruese që Korporata Energjitike Shqiptare (KESH) i ka marrë me qira nga kompania amerikane “Excelerate Energy”.

Dy njësitë prodhuese të energjisë, të cilat janë vendosur në në zonën e Petroliferës, në Vlorë, pritet të fillojnë prodhimin në fund të këtij viti. Aktualisht janë duke u kryer punimet në thellimin e basenit në Triport të Vlorës, ku do të stacionohen TEC-et dhe do të bëhen lidhjet me Operatorin e transmetimit të energjisë.

Ambasadorja Kim tha se SHBA do të mbështesë Shqipërinë në diversifikimin e burimeve të energjisë, në mënyrë që të jetë më e sigurta dhe më e pavarur nga burimet e huaja energjetike.

“Në dy muajt e fundit një nga temat për të cilën çdokush ka folur, ka qenë sfida e energjisë me të cilën po përballet bota. Veçanërisht në Europë, ne mund të shohim atë që po ndodh me Rusinë në Ukrainë. Ne duhet të sigurohemi që aleatët tanë në NATO, partnerët apo miqt si Shqipëria, të mund të diversifikojnë burimet e tyre të energjisë, që të jenë më të sigurta, më të begata e më të pavarura”, tha ambasadorja Kim.

Ministrja Balluku, nga ana e saj, e falenderoi ambasadoren amerikane për mbështetjen e saj për thellimin e partneritetit mes autoriteteve shqiptare dhe kompanisë “Excelerate Energy”.

Ajo shpjegoi se dy njësitë prodhuese, të cilat punojnë me lëndë djegëse (një lloj nënprodukt i naftës), pritet të gjenerojnë 114 megawat ose 867 gigawat energji në vit. Sipas saj, kjo sasi përbën afërsisht 15 për qind të nevojave të Shqipërisë.

Ministrja Balluku tha gjithashtu se çmimi i energjisë që do të prodhohetnga këto dy TEC-e pritet të jetë afër 60 për qind më i lirë se ai i energjisë së importuar.

“Nga të gjitha të dhënat që kemi, çmimi për megawatt/orë për vitin 2023 do të jetë mesatarisht 529 euro. Pra, nuk është vetëm aspekti i sigurisë energjitike, por nga ana tjetër do të arrijmë të kursejmë gati 60 për qind, nëse do ta importonim këtë sasi të energjisë”, tha ministrja Balluku.

Të dy njësitë janë projektuar të punojnë dhe me gaz, prandaj kompania amerikane “Excelerate Energy” dhe “Exxon Mobile” po shqyrtojnë mundësinë e ndërtimit të një terminali për importimin e Gazit Natyror të Lëngshëm (GNL). Në qoftë se ky projekt do të realizohet,  dy TEC-et lundruese do të viheshin në funksion me gaz.

Sipas ministres Balluku, në këtë rast, kostoja e prodhimit të energjisë në këto dy TEC-e pritet të luhatet mes 170 dhe 200 euro për megawat/orë, çmim ky që konsiderohet shumë i favorshëm në kushtet.

Sipas kontratës së nëshkruar mes Qeverisë së shqipërisë dhe kompanisë “Excelerate Energy”, pas periudhës 2 vjeçare të marrjes me qira, Shqipëria mund t’i blejë dy TEC-et lundruese, për t’i përdorur ato si burim alternativ të energjisë ose për t’i dhënë me qira.

Vendosja e TEC-eve lunduese në Vlorë është kritikuar nga disa organizata për mbrojtjen e natyrës, të cilat kanë ngritur shqetësimin për ndotjen e ajrit dhe për rrezikimin e faunës dhe florës detare

Por, ministrja Balluku tha se të gjithë parametrat mjedisorë  të TEC-eve janë në përputhje me kriteret ndërkombëtare.

“Të gjithë parametrat, si ato mjedisorë ashtu dhe ato të zhurmës, janë brenda limiteve, në përputhshmëri të plotë jo vetëm me kriteret tona, si palë nënshkruese e konventave ndërkombëtare, por dhe me ato të Bankës Botërore, përsa i përket emetimeve nga njësitë prodhuese të energjisë”, tha ajo.

(r.m.)