Uashington, 17 janar 2022 – Kanë kaluar 54 vjet që nga vrasja e Dr Martin Luther King, Jr. – predikuesi afrikano-amerikan i cili udhëhoqi një lëvizje të të drejtave civile që ndryshoi Amerikën dhe bëri jehonë në mbarë botën. Që nga ajo kohë, Shtetet e Bashkuara kanë bërë hapa të mëdhenj në çështjen racore, por ndarjet e thella ende vazhdojnë.
“Dua t’u them njerëzve në Amerikë dhe kombeve të botës, ne po bëjmë përpara dhe asnjë valë racizmi nuk mund të na ndalë”.
Ngritja e Martin Luther King Junior si një udhëheqës i të drejtave civile filloi në vitin 1955 kur ai drejtoi përpjekjet kundër ndasive në rrjetin e autobusëve publikë në shtetin Alabama. Më pas ai drejtoi lëvizjet paqësore kombëtare me kërkesa për të drejta të barabarta.
Në vitin 1964, zoti King fitoi Çmimin Nobel për Paqen dhe po atë vit Presidenti amerikan Lyndon Johnson nënshkroi Aktin e të Drejtave Civile dhe një vit më vonë, Aktin e të Drejtave të Votës. Masat shpallën të jashtëligjshme ndarjet racore në vendet publike dhe praktikat diskriminuese që i pengonin afrikano-amerikanët të votonin.
“Unë kam një ëndërr që katër fëmijët e mi të vegjël një ditë do të jetojnë në një komb ku nuk do të gjykohen nga ngjyra e lëkurës së tyre, por nga përmbajtja e karakterit të tyre”, pati thënë zoti King në një nga fjalimet më mbreslënëse.
Përmes një forumi vitual Departamenti i Drejtësi nderoi veprimtarinë e zotit King. Kristen Clarke është Ndihmës Prokurorja e Përgjithshme për të Drejtat Civile në Departamentin e Drejtësisë.
“Dr. King ka patur një ndikim në jetët tona dhe trashëgimia e tij e shpresës dhe angazhimi i fortë për drejtësi dhe barazi mbeten të pranishme në punën tonë të përditshme në Divizionin e të Drejtave Civile.”
Shumë udhëheqës të të drejtave civile thonë se lufta e zotit King për të siguruar të drejta të barabarta votimi vazhdon edhe sot.
Sherrilyn Ifill është Presidente e Fondit të Mbrojtjes Ligjore dhe Arsimit në Shoqatën Kombëtare për Përparimin e Njerëzve me Ngjyrë, shkurtimisht NAACP.
“Zoti King thoshte: Na jepni fletën e votimit që të mund të zgjedhim gjyqtarë që do të jenë të drejtë. Na lini të votojmë që të mund të zgjedhim përfaqësues që do të çojnë përpara zërin tonë. Që të mund të zgjedhim njerëz që e kuptojnë se si duhet të jetë një program i drejtësisë penale.”
Ditë më parë, Presidenti Joe Biden dhe Zëvendëspresidentja Kamala Harris bënë nderimet e tyre tek varri i Martin Luther King Jr., në shtetin Xhorxhia, ku zoti Biden foli mbi debatin e vazhdueshëm kombëtar mbi të drejtën e votës.
“Nuk është vetëm këtu në Xhorxhia. Vetëm vitin e kaluar, 19 shtete nuk propozuan, por miratuan 34 ligje që dëmtonin të drejtat e votës. Republikanët e legjislaturave shtetërore u përpoqën të miratonin afro 400 ligje. Nuk është më se kush do të votojë. Por për ta bërë sa më të vështirë që të votohet dhe nëse vota juaj ka vlerë”.
Republikanët i hedhin poshtë kritikat e zotit Biden me arsyetimin se po përpiqen të mbrojnë votën dhe jo ta kufizojnë atë. Ata thonë se janë alarmuar nga propozimet për ndryshimin e ligjeve të Senatit për të miratuar një ligj kombëtar për të drejtën e votës pa mbështetjen republikane.
Ndërkohë, në të gjithë vendin po hiqen statujat që shumë i lidhin me racizmin, si kjo e gjeneralit të konfederatës Stonewall Jackson.
“Këto simbole janë të këqija për komunitetin, ndaj hoqëm atë urrejtje dhe tani mund të ndodhë shërimi”, thotë Michelle Colbert, që ndoqi heqjen e statujës.
“Kam parë Tokën e Premtuar. Mund të mos arrij atje me ju, por dua që ju ta dini sonte se ne si popull do të arrijmë në Tokën e Premtuar.”
Zoti King u vra gjatë një atentati, në vitin 1968. Por dekada më vonë, fjalët e tij të famshme ende frymëzojnë shumë njerëz që të vazhdojnë të punojnë për drejtësinë racore, një çështje që mbetet çështje thelbësore e dialogut kombëtar amerikan.
(Zëri i Amerikës)