“Amerika po qendron mbi një fuçi baruti”

Presidenti Obama ndërpret vizitën në Europë – do të jetë në Dallas bashkë me Presidentin George W Bush për varrimin e policëve të vrarë

 

Ruben Avxhiu

Një numër incidentesh janë shënuar këtë fundjavë në mbarë vendin, gjatë protestave për rastet e vrasjeve të afrikano-amerikanëve nga policia në SHBA.
Në Baton Rouge, Louisiana, policia arrestoi ditën e dielë dhjetëra protestues pasi autoritetet kishin njoftuar se nuk do të toleronin dhunë në rugët e qytetit.
Policia tha se protestat që bllokojnë rrugët kryesore të qyteteve nuk mund të konsideroheshin më si paqësore. Mes të arrestuarve kishte edhe disa reporterë.
Protestat kësaj here ishin frymëzuar nga vrasjet e Alton Sterling, 37-vjeçar, në Baton Rouge dhe Philando Castile, 32-vjeçar, në një rrethinë të St. Paul, në Minnesota.
Gjendja është tensionuar edhe më shumë kur një veteran afrikano-amerikan ekzekutoi pesë policë në Dallas, gjatë një proteste të ngjashme.
Tani për shumë oficerë policie është bërë e detyrueshme veshtja me anti-plumb dhe pajisje mbrojtëse, duke e vështirësuar edhe më shumë komunikimin me protestuesit.
Ndërkohë, në Minnesota, më shumë se 200 protestues bllokuan autostradën Ndërshtetëse I-94 afër qytetit St. Paul, për orë të tëra dhe sulmuan policinë me gurë, shishe, copa asfalti e fishekzjarrë. 21 policë u lënduan, mbi 100 protestues u arrestuan. Policia tha se një oficer pësoi thyerje vertebrale pasi u godit në kokë me një bllok betoni të lëshuar nga një urë.
“Nuk do të lejojmë një dhunë të tillë të turpshme që kemi parë gjatë kësaj nate”, tha kryebashkiaku Chris Coleman, në St. Paul, gjatë një konference për shtyp. “Kjo lloj sjellje nuk nderon kujtimin e askujt
“Po qendrojmë mbi një fuçi baruti”, u shpreh dje Charles Ramsey, ish-komisioneri i Policisë në Philadelphia. Mund t’i vësh epitete të ndryshme gjendjes, shtoi ai, po nuk ka dyshim se “jemi në një pikë shumë shumë kritike të historisë në këtë vend”.
Ramsey u intervistua nga emisioni televiziv “Meet the Press” (Njihuni me shtypin), në NBC.
Ai është caktuar nga Presidenti Obama që të drejtojë një grup pune që do të studiojë situatën e komisariateve të policisë në SHBA.
Ramsey tha se rreth 13,000 vriten në vit në SHBA, po të vrarët nga policia janë shumë më pak. Sipas një analize në “Washington Post” vitin e kaluar 990 vetë u vranë gjatë përplasjes me policinë. Këtë vit ky numër është 512, deri tani (më shumë se vitin e kaluar deri në këtë datë). Gjysma e këtyre të vrarëve janë të bardhë, gjysma tjetër janë zezakë, hispanikë dhe pakica të tjera.
10% kanë qenë të paarmatosur. Një e katërta kanë qenë me problem mendore.
Ramsey tha se duhet kujdes në trajtimin e situatës. Dhe se gjërat duhen mbajtur në perspektivë. Në fund të fundit janë policët ata që duhet të përballen me kriminelët. “Dhe ne hasim shumë njerëz të rrezikshëm nëpër rrugët e vendit. Kush do t’i ndalojë ata përveç policëve?”
Ai tha se nuk duhet harruar se policët janë një detyrë shumë të vështirë që dhe të rrezikshme. “Kjo nuk do të hotë që ata duhet të justifikojen kur përdorin forcë të tepruar. Ata që e bëjnë duhet që t’i bëjmë që të mbajnë përgjegjësi, por nuk duhet që për ta të dënojmë të gjithë departamentin apo policinë në tërësi”, tha ai.
Ramsey tha se shqetësim i madh është edhe ngaqë kjo po ndodh në një kohë kur po bëhet fushata zgjedhore presidenciale dhe data e Kuvendeve Kombëtare Republikane dhe Demokrate është afër.
“Është koha që njerëzit me mend të mblidhen bashkë dhe të gjejnë zgjidhje. Akuzat e tregimet me gisht nuk ndihmojnë askënd”, tha ai.
Ndërkohë, Presidenti Barack Obama ka vendosur të ndërpresë qendrimin e tij në Varshavë, për t’u kthyer në SHBA për rastin e varrimit të policëve të vrarë në Dallas, Texas. Përpara tij aty do të flasë edhe Presidenti George W Bush.
“Çdo kush që thotë se po lufton kundër abuzimeve të policisë po pastaj zgjedh të veprojë duke sulmuar policët nuk është duke e ndihmuar kauzën e tij”, tha Presidenti gjatë një shkëmbimi me median në Europë.
Presidenti Obama pritet t’i bëjë thirrje vendit, të martën, për vetëpërmbajtje dhe për bashkim, për të mos lejuar që ekstremistët e asnjë lloji që të përcaktojnë debatet dhe fatin e Amerikës. (Ruben Avxhiu)