Çfarë na kujtuan sot Donald Trump dhe Hillary Clinton?
Nga Ruben Avxhiu
Kjo fushatë zgjedhore është konsideruar si nga më të ndyrat në historinë moderne të Shteteve të Bashkuara. Madje u fol hapur se demokracia amerikane kishte marrë një goditje të pariparueshme.
Mirëpo, sot, kur gjithshka ka mbaruar dhe fituesit janë shpallur, nuk ke si të mos ndihesh krenar që të gjitha traditat zgjedhore amerikane janë respektuar.
Donald Trump shpalli fitoren, duke lavdëruar rivalen e tij e duke thënë se i detyrohemi shumë për kontributin që ka dhënë. Hillary Clinton pranoi humbjen, duke i uruar sukses në punën e tij Presidentit të Zgjedhur Trump.
“Gjatë natës që iku, përgëzova Donald Trump dhe i ofrova të punoj me të për të mirën e vendit tonë”, tha ajo. “Shpresoj që ai do të jetë një president i suksesshëm për të gjithë amerikanët.
Ky pranim nga kandidatja demokrate dhe para saj nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara, në fuqi, Barack Obama shënojnë respektimin e traditës së madhe amerikane të përcjelljes së pushtetit në mënyrë paqësore dhe të ligjshme.
Si askund në botë, këtu në SHBA, duhet të kalojnë tre muaj përpara se Presidenti i zgjedhur të ngjitet në pushtet. Këto tre muaj shërbejnë për një dorëzim të kujdesshëm, të përgjegjshëm e të shkallëzuar të pushtetit për hir të qendrueshmërisë së vendit.
Kjo nuk ishte një fushatë për t’u krenuar, por Amerika ende ka shumë çfarë të na mësojë për mënyrën se si sillemi në fitore e në humbje.
“Donald Trump do të jetë presidenti ynë. Ia kemi borxh një mendje të hapur dhe një shans që të udhëheqë, tha Hillary Clinton. Dhe kur e thotë ajo, që ishte humbësja më e madhe e natës së kaluar, kush jemi ne të tjerët që ta vëmë në dyshim.
Vetë njeriu që do të marrë pushtetin në 20 janar, foli gjithashtu me tonin që flasin rregullisht fituesit në Amerikë.
“Të gjithë Republikanëve dhe Demokratëve dhe të pavarurve në mbarë këtij vendi, u them se kjo është koha për t’u mbledhur bashkë, si një popull i bashkuar”, e nisi ai fjalimin e fitores. “Ka ardhur koha. Unë i betohem çdo qytetari të tokës sonë se do të jem president i të gjithë amerikanëve dhe kjo është shumë e rëndësishme për mua.
Duke iu drejtuar atyre që nuk kanë votuar për të, Trump tha se “po ju kërkoj udhëzimin dhe ndihmën tuaj për të punuar së bashku që të bashkojmë këtë vend të madh”.
Në politikë, idealistët dhe optimistët duhet të kenë zemër të fortë përndryshe janë përjetë të nëmur me zhgënjime. Nuk ka dyshim se pas fjalimeve të bukura, ky mbetet po ai vend i përçarë dhe se këtë radhë fitues doli ai që theu zakonin e fjalorit etik në publik.
Nuk ka dyshim që Demokratët do ta sabotojnë Presidentin Trump ashtu si Republikanët sabotuan për tetë vjet Presidentin Obama. Nuk ka dyshim që nga vetë natyra e tij, presidenti i sapozgjedhur do të kërkojë të anashkalojë pengesat që i vë vullnetit të Shtëpisë së Bardhë, Kushtetuta amerikane. Po kjo nuk do ta bëjë atë shumë të ndryshëm nga të gjithë presidentët e tjerë, përfshi edhe atë të sotmin. Shpresa është që hapësirën që kanë krijuar politikanët për zyrën e presidentin, duke devijuar nga skema e ngurtë e baballarëve të Amerikës, Trump të përpiqet ta përdorë për të mirën e vendit dhe të demokracisë.
Disa nga frikërat që kanë shoqëruar ngjitjen në fuqi të Donald Trump janë të tepruara. Disa për fat të keq bazohen mirë në deklaratat e tij të papërgjegjshme gjatë kësaj gare. Ajo që ka ndodhur nga ana tjetër në histori ka qenë që pesha e institucioneve në fund e lëmon ekstremitetin e udhëheqësve. Ndryshe nga Italia e Musolinit, Gjermania e Hitlerit apo Rusia e Lenin/Stalin/Putinit, tradita demokratike në SHBA ka peshë shumë më të rëndë dhe pengon ndryshimet e këqia po me atë sa pengon ato të këqia. Amerika ka treguar shpesh se është vendi ku Kasandrat nuk besohen me të drejtë.
Tetë vjet më parë, komentuesit në SHBA dhe në botë ishte në ekstazë për epokën e re që po agonte me Presidentin Barack Obama. Mirëpo, ndërsa ekonomia amerikane është përmirësuar shumë dhe shumë padrejtësi janë vënë në vend, SHBA ka njohur kriza të reja shumë të forta të besimit ndaj institucioneve, si nga e majta ashtu edhe nga e djathta. As nuk patëm shoqërinë post-racore që u përfol aq shumë.
Në fushën e jashtme, Presidenti Obama e nisi me një fjalim historik në botën arabe dhe një shpallje rifillimi nga e para të marrëdhënieve me Rusinë. Sekretarja e Shtetit që zgjodhi, Hillary Clinton, paralajmëroi kthimin e interesit amerikan drejt Azisë. Asnjë nga këto nuk u materializuan në ndryshime pozitive. Lindja e Mesme pa daljen në skenë të ISIS, shkatërrimin e dy-tre shteteve nga lufta civile, rifuqizimin e talibanëve, dështimin e Pranverës Arabe dhe rrëzimin e demokracisë në Turqi. I vetmi rifillim me Rusinë, duket se ka qenë kthimi i Putinit në politikat e shekullit të 19, ku pushtimi i territoreve dhe jo ndikimi ekonomik e kulturor masin forcën e shteteve. Ai sot kërcënon në Europën Lindore përfshi edhe Ballkanin. Në Azi, Kina po kërcënon një stabilitet gjysëmshekullor në Detin e Kinës së Jugut, duke nervozuar në maksimum fqinjët që tani rrezikojnë të rrëshqasin në një garë të re armatimesh. Edhe vetë Bashkimi Europian, një gur themelor në rendin e ri botëror po shënon krisje shumë shqetësuese, që kurorëzohen me largimin e Mbretërisë së Bashkuar.
Nëse kaq shumë gjëra negative ndodhën pas një momenti aq të gëzuar që u konsiderua si fillim i një epoke pozitive, kemi arsye të besojmë se në mnyrë të ngjashme, gjëra të mira mund të ndodhin kur ndodh diçka që shihet si fundbotshme.
Shqiptarët kanë të drejtë të mërziten se te Hillary Clinton kanë pasur një udhëheqëse që e njihte botën e tyre dhe që sillte një kuadër diplomatësh dhe ekspertësh që kishte njohuri e familjaritet për shqetësimet shqiptare.
Mirëpo, shqiptarët janë mërzitur njësoj për fitoret e të gjithë presidentëve të fundit, nga Bill Clinton, George W Bush dhe Barack Obama. Ndërsa, në fund të mandateve të dyta të këtyre presidentëve, shqiptarët kanë parë me shqetësim largimin e tyre. Në politikë, parashikuesit e fatit janë një profesion të ngjashëm me atë të bastexhijve të sportit.
Gazetari Kevin Williamson ka postuar një anektodë të vjetër që përmbledh fare mirë urtësinë me të cilën njerëzit duhet të presin kthesat në histori.
Babë e bir kishin një kalë të mirë me ndihmën e të cilit punonin për të mbajtur fermën e tyre. Një ditë kali ia mbathi dhe u iku nga ferma. U thanë bashkëfshatarët: “Mos, çfarë fati i keq”. Plaku i fermës tha: “Mbase po, mbase jo. Të shohim”.
Pas pak ditësh, kali u kthye bashkë me disa pela që i kishin ardhur nga pas. U thanë bashkëfshatarët: “More, sa mirë që ju doli vërtet”. Plaku i fermës tha: “Mbase po, mbase jo. Të shohim”.
Të nesërmen, i biri u përpoq të lidhte një nga pelat, mirëpo ajo e goditi me shqelm dhe i theu këmbën. I thanë bashkëfshatarët: “Mos, çfarë fati i keq”. Plaku i fermës tha: “Mbase po, mbase jo. Të shohim”.
Pak ditë më pas, ushtria mbërriti në fshat dhe mobilizoi për në luftë të gjithë djemtë në gjendje të mirë fizike. I thanë bashkëfshatarët plakut: “Të shpëtoi djali nga lufta, çfarë fati i mirë”. Dhe plaku i fermës tha: “Mbase po, mbase jo. Të shohim”.
Nganjëherë rreziku më i madh për të gjithë nuk janë edhe aq kthesat historike sesa janë entuziazmi i tepruar apo paniku i panevojshëm me të cilin reagojmë. Historia na jep plot arsye për t’u trembur por edhe për të pasur besim. Për ata që janë tmerruar nga fitorja e Donald Trump dhe presin fundin e botës dhe për ata që janë të ekzaltuarit e radhës e presin një botë të re (apo në këtë rast të vjetër), ai plaku proverbial i mësipërm ka vërtet përgjigjen më të mirë.