Uashington, 5 korrik 2022 – Dita e Pavarësisë vjen në një kohë kur Shtetet e Bashkuara janë tronditur nga seancat dëgjimore për sulmin e 6 janarit ndaj Kapitolit dhe trazirat mbi vendimet e Gjykatës së Lartë për abortin dhe armët, ndërsa përpiqet për të ruajtur faktorët që e mbajnë të bashkuar.
Megjithatë, shumë njerëz shohin arsye për të festuar: Pandemia vazhdon të jetë në rënie dhe, pavarësisht gabimeve, demokracia e Amerikës është e fortë.
“Katër korriku është një ditë e shenjtë në vendin tonë, është një kohë për të festuar mirësinë e kombit tonë, i vetmi komb i themeluar mbi idenë se të gjithë njerëzit janë krijuar në mënyrë të barabartë”, shkroi në Twitter të hënën Presidenti Joe Biden. “Është e sigurt se, ditët tona më të mira janë gjithnjë përpara”.
Edhe pse festa i jep vendit të tronditur një rast për të pushuar, për shumë njerëz, festimet kanë ngjyrime politike.
“Mendoj se shumë prej nesh ndjejnë një lloj konflikti të brendshën gjatë festimit të 4 korrikun sot”, tha në një postim në Twitter avokatja Amelia Boone.
Sipas saj, patriotizmi ka të bëjë gjithashtu me luftën për ndryshim: “Unë nuk po heq dorë nga Shtetet e Bashkuara”, shtoi ajo.
Kjo ndjenjë padyshim ndahet nga miliona amerikanë të tjerë, të cilët të hënën festojnë 246 vjetorin e pavarësisë së vendit.
Është një ditë kur amerikanët organizojnë parada, hedhin fishekzjarre dhe familjarët dhe komuniteten mblidhen së bashku, duke përgatitur ushqime tradicionale si hamburgera. Për herë të parë pas tre vitesh, kjo do të bëhet pa masat kufizuese kundër koronavirusit.
Shfaqje shumëngjyrëshe të fishekzjarreve do të ndriçojnë qiellin sonte në qytete si Nju Jork, Siatëll, Çikago dhe Dallas. Megjithatë, të tjerët, veçanërisht në rajonet e goditura nga thatësira dhe zjarret në pjesën perindomore të vendit, këtë vit nuk do të organizojnë shfaqje fishekëzjarresh.
Qyteti i Finiksit në Arizona, edhe këtë vit do ta festojë ditën e pavarësisë pa fishekzjarre, jo për shkak të shqetësimeve të pandemisë ose zjarrit, por për shkak të problemeve me zinxhirët e furnizimit.
Në ceremoni emocionale në mbarë vendin, disa do të bëjnë betimin e marrjes së shtetësisë amerikane, duke marrë gjithashtu të drejtën për të votuar për herë të parë në zgjedhjet e nëntorit për në Kongres.
Por, ky vit është i shoqëruar edhe me pasiguri, si frika nga një recesion i mundshëm ekonomik, incidentet e dhunës me armë, si ato të kohëve të fundit në një shkollë fillore në Teksas dhe në një dyqan ushqimor në Nju Jork.
Ndasitë sociale dhe politike dolën në pah gjithashtu nga vendimet e fundit të Gjykatës së Lartë që përmbysën të drejtën kushtetuese për abortin dhe rrëzuan një ligj të Nju Jorkut që kufizonte armbëmbajtjen në vendet publike.
Por për shumë njerëz, 4 korriku është gjithashtu një shans për të lënë mënjanë dallimet politike dhe për të festuar bashkimin, duke reflektuar mbi revolucionin që solli në jetë demokracinë më jetëgjatë në histori.
“Ka gjithmonë diçka për të na ndarë apo bashkuar,” thotë Eli Merritt, historian në Universitetin e Vanderbiltit, libri i ardhshëm i të cilit gjurmon themelimin e vështirë të Shteteve të Bashkuara në vitin 1776.
Por ai i sheh seancat dëgjimore të 6 janarit që hetojnë sulmin e vitit të kaluar në Kapitol si një arsye për shpresë, një mundësi për të mbështetur institucionet demokratike. Edhe pse jo të gjithë amerikanët ose përfaqësuesit e tyre të zgjedhur pajtohen me punën e komisionit që po heton ngjarjet e 6 janarit, zoti Merritt është i inkurajuar nga fakti se ai është të paktën disi dypartiak me disa republikanë në radhët e tij.
(Zëri i Amerikës)