Amerikanët shpjegojnë zgjedhjen që e bënë në ditën e votimeve

Uashington, 6 nëntor 2024 – Votuesit në Shtetet e Bashkuara iu drejtuan të martën kutive të votimit për të zgjedhur presidentin e ardhshëm të vendit, në një garë që mendohej të ishte e ngushtë mes republikanit Donald Trump dhe demokrates Kamala Harris. Gazetarët e Zërit të Amerikës biseduan me votuesit në qendrat e votimit në mbarë vendin dhe na sjellin mendimet e tyre për përzgjedhjet.

Pensilvania është një ndër shtetet që përcaktuan rezultatin e zgjedhjeve presidenciale. Votuesja Mariah Johnson thotë se mbrojtja e të drejtave të riprodhimit e motivoi atë të merrte pjesë në zgjedhje.

“Unë jam grua dhe do të doja të votoja për të drejtat e mia. Do të doja t’i mbaja këto të drejta për fëmijët e mi dhe për të ardhmen e botës”, Mariah Johnson, votuese në Pensilvani.

Në Virxhinia, votuesi Sameet Mitter thotë se ai votoi për kandidaten Kamala Harris.

“Platforma e saj në tërësi, mendoj se krijon një të ardhme më të sigurt për vajzën time, dhe sinqerisht dua që vajza ime të rritet në një botë ku të jetë nomale që një grua të bëhet presidente”, thotë Sameeti.

Votuesi nga Florida, Ricky Suyono, thotë se mbështeti ish-Presidentin Donald Trump.

“Në ekonomi mendoj se po humbasim shumë vende pune tani. Mendoj se Trumpi u dha stimuj kompanive të punësojnë amerikanë dhe jo ta largonin punën drejt vendeve të tjera”, thotë Ricky.

Votuesja në Nju Jork, Keisha Marcellin, tha se votoi për Nënpresidenten Harris.

“Meqenëse jam grua afrikano-amerikane, është paksa e qartë se për kë duhet të votoj pasi bëhet fjalë për jetën e të gjithëve; janë jetët e afrikano-amerikanëve, shëndeti riprodhues i grave; vendoset për jetën e të gjithëve dhe kjo është e rëndësishme”, thotë Keisha.

Votuesi në Xhorxhia, Michael Geisler thotë se votoi për një mandat të dytë për ish-Presidentin Trump.

“Thjesht mendoj se është alternativa më e mirë për Amerikën. Ai është kandidati mesazhi i të cilit zuri vend tek unë. Nuk isha ende në moshën e duhur për të votuar kur ai u zgjodh herën e parë, por më pëlqyen politikat e tij, politikat e tij ekonomike dhe se si ishte jeta ime kur ishte ai president. Dhe pastaj gjatë katër viteve në vazhdim me Biden-in, u bë e vështirë financiarisht. Nuk më pëlqen drejtimi që ka marrë vendi”, thotë Michael Geisler.

Votuesja në Teksas, Tinashe Makoni gjithashtu mbështeti zotin Trump.

“Ai ka mangësitë e tij. Dua të them për karakterin. Nuk ka nevojë të futemi në detaje, pasi janë shumë gjëra. Por, kur bëhet fjalë për ta lëvizur vendin përpara, që vendi të rifitojë pozitën dhe statusin dominues, ai është zgjedhja ime”, thotë votuesja Tinashe.

Këtë vit, një numër rekord amerikanësh votuan që përpara Ditës së Zgjedhjeve.

(Zëri i Amerikës)