Uashington, 5 nëntor 2024 – Votuesit amerikanë vendosin sot mes kthimit të republikanit Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë dhe ngritjes së demokrates Kamala Harris nga posti i nënpresidentes në atë të presidentes së vendit, pas një fushatë presidenciale intensive të shoqëruar me polemika dhe një gjuhë të ashpër.
Vendvotimet u hapën në mbarë vendin herët në mëngjes, ndërsa votuesit po përballën me një zgjedhje të qartë midis dy kandidatëve që kanë ofruar vizione shumë të ndryshme mbi të ardhmen e fuqisë më të madhe ekonomike dhe ushtarake të botës.
Nëse fiton, demokratja Kamala Harris do të bëhej presidentja e parë grua. Ajo ka premtuar të punojë me ligjvënës nga të dyja partitë për të zgjidhur problemet ekonomike dhe çështjet e tjera pa u distancuar shumë nga kursi i përcaktuar nga Presidenti Joe Biden. Ish-Presidenti republikan Donald Trump ka premtuar të zëvendësojë mijëra punonjës federalë me mbështetës të tij besnikë, të vendosë tarifa gjithëpërfshirëse si për aleatët ashtu edhe për vendet rivale dhe do të organizojë operacionin më të madh të dëbimit të imigrantëve të paligjshëm në historinë e Shteteve të Bashkuara.
Dy kandidatët kaluan orët e fundit të fushatës në Pensilvani, shteti më i madh i pavendosur. Ata bënë përpjekje për të rritur entuziazmin dhe energjinë në bazat e tyre të votuesve, si dhe për amerikanët që ende nuk kanë vendosur se për cilin kandidatë do të votojnë.
“Është përgjegjësia ime qytetare. Është e rëndësishme që unë të votoj për çështjet e rëndësishme për mua dhe të votoj për demokracinë dhe vendin që kam mbështetur për 22 vjet të jetës sime”, tha 54 vjeçari Ron Kessler, një veteran i Forcave Ajrore nga Pensilvania i cili shtoi se kjo është hera e dytë që ai voton në zgjedhjet presidenciale të vendit.
Harris dhe Trump hynë në Ditën e Zgjedhjeve të përqendruar në shtatë shtetet e pavendosura, pesë prej tyre të fituara nga zoti Trump në 2016 dhe nga zoti Biden në 2020: Pensilvania, Miçigani, Wisconsin-i, Arizona dhe Xhorxhia. Zoti Trump fitoi dy herë në Karolinën e Veriut dhe humbi dy herë në Nevada. Ai fitoi në Arizona dhe Xhorxhia në vitin 2016, por i humbi ato në zgjedhjet e vitit 2020.
Gara e ngushtë ka rritur shanset që fituesi të mos dihet në natën e zgjedhjeve. Rezultati në Dixville Notch, një fshat në Nju Hempshër, cili sipas traditës, i hap qendrat e votimit menjëherë pas mesnate, duke u bërë i pari që voton dhe shpall rezultatet, mund të jetë një paralajmërim i asaj që mund të ndodhë në ditën e zgjedhjeve. Në Dixville Notch, ku ka vetëm 6 votues të regjistruar, vota u nda në mes, tre për Donald Trumpin dhe tre për Kamala Harrisin.
Në garën presidenciale të vitit 2020 u deshën katër ditë për të shpallur fituesin e zgjedhjeve presidenciale. Megjithatë, zoti Trump ka pretenduar pa fakte, se nëse ai humb, kjo do të ndodhte për shkak të manipulimit të votave. Fushata e zonjës Harris është përgatitur për mundësinë që ai të shpallë fitoren përpara se të dihet fituesi të martën mbrëma apo të mos pranojë rezultatin, nëse ajo i fiton zgjedhjet. Katër vjet më parë, zoti Trump nisi një përpjekje për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve, që përfundoi me një sulm më 6 janar 2021 ndaj Kapitolit.
Zoti Trump planifikon të votojë në Florida të martën dhe më pas do të presë daljen e rezultatet në Mar-a-Lago. Më vonë ai pritet të marrë pjesë në një tubim në një sallë konferencash aty pranë. Zonja Harris tashmë ka votuar me postë në Kaliforni. Ajo do ta ndjekë procesin e zgjedhjeve dhe publikimin e rezultateve të tyre në Universitetin Howard në Uashington, ku ajo ka mbaruar studimet.
Kandidatët Harris dhe Trump me vizione të ndryshme për vendin
Nëse fiton, zonja Harris do të hynte në histori, duke u bërë gruaja e parë presidente dhe gruaja e parë me ngjyrë në këtë post. Ajo gjithashtu do të bëhej nënpresidentja e parë që fiton Shtëpinë e Bardhë në 32 vjet.
Fitorja e saj do të mbyllte një fushatë presidenciale kaotike, ndryshe nga çdo tjetër në historinë amerikane. Zonja Harris u bë kandidate e demokratëve më pak se katër muaj më parë, pas tërheqjes së Presidentit Biden nga gara, pas një trysnie të madhe nga partia e tij e shkaktuar nga paraqitja e dobët në debatin presidencial me zotin Trump në fund të qershorit.
Nëse fiton, 78 vjeçari Trump do të bëhej presidenti më i moshuar në historinë e vendit. Një fitore e ish-Presidentit Trump do ta bënte atë presidentin e parë të shpallur fajtor për një krim. Një juri në Nju Jork e shpalli atë fajtor për pagesat për një aktore të filmave pornografikë në këmbim të heshtjes mbi një marrëdhënie intime, që ajo kishte patur me zotin Trump. Nëse i fiton zgjedhjet, ai do të mund të përdorë komptencat e Presidentit për t’i dhënë fund hetimeve të tjera federale ndaj tij. Zoti Trump do të bëhej gjithashtu presidenti i dytë në histori që fiton mandate jo të njëpasnjëshme në Shtëpinë e Bardhë, pas ish-Presidentit Grover Cleveland, i cili e realizoi këtë në fund të shekullit të 19-të.
Ish-Presidenti Trump i mbijetoi një atentati, ku plumbi e gërvishi lehtazi në vesh, në një tubim elektoral në Batllër të Pensilvanisë në korrik. Reagimi i shpejt i shërbimit sekret pengoi një atentat të dytë ndaj tij në shtator, kur një person i armatosur ishte fshehur në afërsi të pronës së tij në Flordia, ku ai po luante golf.
Zgjedhjet me pasoja të mëdha për Amerikën dhe botën
Pasojat e mundshme të një mandati të dytë të zotit Trump janë rritur nga komentet e tij në mbështetje të së djathtës ekstreme dhe shpërfillja e tij për normat e qëndrueshme demokratike.
Zoti Trump ka përdorur retorikë të ashpër kundër zonjës Harris dhe demokratëve të tjerë, duke i quajtur ata “djallëzorë” dhe ka sugjeruar veprime ushtarake kundër njerëzve që ai i quan “armiq të brendshëm”. Zonja Harris, duke vënë në dukje paralajmërimet e ish ndihmësve të zotit Trump, e ka quajtur atë “fashist” dhe fajësoi zotin Trump për rrezikim të jetës së grave përmes emërimit të tre anëtarëve konservatorë të Gjykatës së Lartë, të cilët ndihmuan në përmbysjen e ligjit Roe kundër Wade, që e kishte bërë abortin të drejtë kushtetuese. Në orët e fundit të fushatës, ajo u përpoq të përdorte një ton më pozitiv dhe kaloi të hënën gjithë ditën e fundit pa përmendur emrin e rivalit të saj republikan.
Zyrtarët federalë, shtetërorë dhe lokalë shprehën besimin në integritetin e sistemit zgjedhor të vendit një ditë para zgjedhjeve. Megjithatë, ata janë përgatitur të përballen me atë që ata thonë se është një nivel i pashembullt i fushatave të dezinformimit nga vendet rivale, veçanërisht nga Rusia dhe Irani, si dhe mundësinë e dhunës fizike apo sulmeve kibernetike.
Fushatat e dy kandidatëve kanë punësuar një numër të madh avokatësh në pritje të betejave ligjore në ditën e zgjedhjeve dhe pas saj. Agjencitë e zbatimit të ligjit në mbarë vendin janë në gatishmëri të lartë për t’u përballur me mundësinë e veprimeve të dhunshme.
Gara presidenciale po ndiqet me vëmendje në mbarë botën, sepse rezultati i zgjedhjeve do të jetë i rëndësishëm për të ardhmen e mbështetjes amerikane për Ukrainën, angazhimin e Shteteve të Bashkuara ndaj aleancave të saj globale dhe luftën kundër udhëheqësve autokratë të botës.
Nënpresidentja Harris është zotuar të vazhdojë mbështetjen për Kievin në luftën kundër Rusisë, e cila në vitin 2022 filloi një sulm në shkallë të gjerë ndaj Ukrainës. Ish-Presidenti Trump ka kritikuar ashpër Ukrainën, ka lavdëruar presidentin rus Vladimir Putin dhe ka sugjeruar se ai do ta inkurajonte Rusinë të sulmonte aleatët amerikanë të NATO-s, që nuk i përmbushin detyrimet financiare në fushën e mbrojtjes.
Përveç zgjedhjes së Presidentit, në këto zgjedhje po votohet edhe për Kongresin dhe nisma ligjore në shumë shtete për të drejtën e abortit.
Më shumë se 82 milionë njerëz votuan herët, duke arritur afër rekordit të vendosur gjatë pandemisë në 2020, kur zoti Trump inkurajoi republikanët të votonin në ditën e zgjedhjeve. Këtë radhë, ai u kërkoi votuesve të tij që të votonin herët dhe një pjesë e madhe e tyre e bënë këtë.
(Zëri i Amerikës)