Uashington, 5 nëntor 2024 – Miliona amerikanë do të votojnë sot (e martë, 5 nëntor 2024) për presidentin e ardhshëm të shtetit, të 47-tin me radhë.
Ata do të zgjedhin midis nënpresidentes aktuale Kamala Harris, e cila është candidate e demokratëve, dhe ish-presidentit të 45-të, Donald Trump, i cili është kandidat I republikavëve.
Anketat e kryera në prag të ditës së zgjedhjeve flasin për një garë të ngushtë midis dy kandidatëve, sidomos në shtetet fushëbetejë, të cilat pritet të jenë përcaktuese të fituesit të zgjedhjeve.
Të hënën, të dy kandidatët i mbajtën fjalimet e tyre të fundit para votuesve në të njëjtën pjesë të Pensilvanisë, afërsisht në të njëjtën kohë, për të mbyllur fushatat e tyre zgjedhore në shtetin që mund të jetë vendimtar në rezultatetin e zgjedhjeve të sotme, raporton Zëri i Amerikës.
“Nesër është dita e zgjedhjeve dhe vrulli është në anën tonë”, u tha zonja Harris mbështetësve të saj të mbledhur në një fabrikë historike çeliku.
“Fushata jonë ka prekur ambiciet, aspiratat dhe ëndrrat e popullit amerikan. Dhe ne e dimë se është koha për një gjeneratë të re udhëheqjeje në Amerikë”, tha ajo.
“Ne duhet të dalim të fortë”, shtoi zonja Harris. “…Ne do të fitojmë”, theksoi Zonja Harris.
Ndërsa Zoti Trump, iu tha mbështetësve të tij në një arenë sportive se një administratë tjetër e tij “do të fillojë shpërthimin më të jashtëzakonshëm ekonomik që bota ka parë ndonjëherë”.
“Nëse votoni për Kamalën, do të keni edhe katër vite të tjera mjerimi, dështimi dhe fatkeqësie”, tha Trump. “Vendi ynë mund të mos rimëkëmbet kurrë. Votoni për mua dhe unë do të sjell paga në rritje, të ardhura në rritje dhe një rritje kolosale të vendeve të punës, pasurisë dhe mundësive për Amerikën e çdo race, feje, ngjyre dhe besimi. Secilit prej tyre”, tha Zoti Trump.
Më shumë se 81 milionë amerikanë kanë votuar para kohe, qoftë personalisht në qendrat e votimit ose nëpërmjet postës. Kjo shifër përbën më shumë se gjysmën e 158 milionë amerikanëve që kishin votuar në zgjedhjet e vitit 2020, kur presidenti Joe Biden e kishte mposhtur zotin Trump. Ajo ishte një fitore demokratike, të cilën Zoti Trump edhe sot e kësaj dite e cilëson si fitore “të mbështetur në mashtrime”.
Dhjetëra vendime gjyqësore, shpesh të nxjerra nga gjyqtarë të emëruar nga vet zoti Trump, dolën kundër tij, ndërsa ai u përpoq t’i kundërshtojë rezultatet e vitit 2020. Edhe të dielën, në një tubim në Pensilvani, Trump tha se “nuk duhej të ishte larguar” nga Shtëpia e Bardhë në vitin 2021, kur zoti Biden e kishte marrë detyrën.
Por, Zoti Trump ka vënë në pikëpyetje edhe pranimin e rezultatit të zgjedhjeve të sotme, në qoftë se ato nuk e nxjerrin fitues. Ai ka thënë se do ta pranojë rezultatin e kЍtyre zgjewdhjeve vetëm nëse arrin në përfundimin se zgjedhjet u zhvilluan në mënyrë të drejtë. Demokratët e cilësuan këtë si provë se Trump nuk do ta pranojë rezultatin e zgjedhjeve nëse nuk i fiton ato, siç ka ndodhur në vitin 2020, kur i nxiti ose i frymëzoi mbështetësit e tij të sulmojnë Kapitol Hillin.
Si zoti Trump ashtu edhe zonja Harris kanë formuar ekipe të mëdha avokatësh për beteja ligjore, në qoftë se zgjedhjet e sotme nuk e nxjerrin një fitues të qartë.
(r.m.)