Uashington, 30 dhjetor 2022 – Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë për Çështjet e Sigurisë Kombëtare, John Kirby njoftoi në fund të dhjetorit se grupi mercenar rus Wagner po zgjeron ndikimin e tij. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Garri Knyagnitsky thotë se kompania private ushtarake ruse po rekruton të dënuar dhe ka marrë armë nga Koreja e Veriut.
Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, John Kirby, thotë se grupi mercenar rus Wagner, ashtu si ushtria ruse, po përjeton mungesa në radhët e tij dhe po rekruton të dënuar.
Zoti Kirby thotë se kreu i kompanisë private Wagner, Yevgeny Prigozhin ka shkuar personalisht në burgjet ruse për të rekrutuar të dënuar për të luftuar në vijën e parë të frontit.
“Duket se zoti Prigozhin është i gatshëm të sakrikojë jetë rusësh në Bakhmut. Në fakt, rreth një mijë luftëtarë të Grupit Wagner janë vrarë atje në luftime javët e fundit, dhe ne besojmë se 90% nga ata një mijë luftëtarë ishin ish-të burgosur”.
Olga Romanova është themeluesja e grupit të të drejtave civile Rusia prapa Hekurave.
“Ata nuk janë të interesuar për ideologjinë; atyre u interesonte të liroheshin. Ata donin të ishin të lirë të bënën atë që bënin kur ishin në banda, për të qenë jashtë qelisë, për të mos pasur rregulla”, thotë ajo.
Zoti Kirby thotë se ndikimi i Grupit Wagner po rritet. Zoti Prigozhin ka kritikuar disa herë publikisht gjeneralët e ushtrisë ruse për strategjinë e tyre të dështuar në Ukrainë.
Analistët thonë se Ministria e Mbrojtjes e Rusisë është përgjigjur negativisht ndaj fushatës së rekrutimit të Grupit Wagner.
“Në fakt Grupi Wagner po konkurron me njësitë ushtarake të ushtrisë ruse dhe po rekruton nga burgjet. Përshtypja është se të burgosurit janë të egër, por kjo nuk do të thotë se ata kanë trajnim të mirë ushtarak.
Kjo tregon se sa e dobët është ushtria ruse.”
Gjenerali në pension i ushtrisë amerikane, Peter Zwack, është dakord.
“Kur përdor forca alternative ndaj trupave të ushtrisë dhe nuk arrin asgjë, kjo reflekton negativisht për ushtrinë ruse.”
Shumë të dënuar e shohin rekrutimin nga Grupi Wagner si mënyrë shpëtimi nga burgu. Zonja Romanova thotë se ata nuk janë të motivuar për të luftuar, por përkundrazi e shikojnë rekrutimin si një biletë drejt lirisë. Megjithatë, shumë prej tyre, pasi rekrutohen, përpiqen të largohen ose ndryshojnë palë dhe u bashkohen Forcave të Armatosura të Ukrainës. Grupi Wagner nuk ngurron të kundërpërgjigjet. Në mes të nëntorit, qarkulloi një video që tregonte mercenarët e Grupit Wagner duke ekzekutuar një anëtar të grupit që dezertoi në Ukrainë.
“Shumë ranë dakord të bashkoheshin me Grupin Wagner duke shpresuar të iknin menjëherë. Kjo është arsyeja pse mijëra prej tyre dorëzohen, dezertojnë. Kjo është arsyeja që shohim ekzekutime pa gjyq. Dhe Prigozhin bëri një gabim të madh sepse mendoi se këto ekzekutime do t’i bënin të dënuarit që të kishin frikë të iknin, por ata thjesht nuk po bashkohen më me Grupin Wagner”, thotë zonja Romanova.
Informacionet e zbulimit kanë treguar gjithashtu se Grupi Wagner po merr furnizime me armë nga Koreja e Veriut, thotë zoti Kirby. Sipas të dhënave të Pentagonit, dërgesa e parë nga Koreja e Veriut u bë në nëntor dhe kjo, shton zëdhënësi Kirby, është një shkelje e rezolutave të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
(Zëri i Amerikës)