Uashington, 12 prill 2024 – Mbështetja e Amerikës për ushtritë e Ukrainës dhe Izraelit ka rritur kërkesat në industrinë amerikane të mbrojtjes. Fabrikat në të gjithë vendin kishin duhet të prodhonin armë dhe municione me një ritëm të paparë në dekada.
Por, një eksperte paralajmëron se kjo industri nuk po mund ta mbajë ritmin para kërcënimeve komplekse, duke filluar nga agresioni rus në Evropën Lindore …te sulmet e militantëve që kanë mbështetjen e Iranit në Detin e Kuq.
“Marina po përdor më shumë raketa ‘Tomahawk’ brenda një jave se sa ka blerë gjatë gjithë vitit të kaluar. Kjo ka të bëjë me normat e prodhimit në kohë paqeje që duhet të ndryshohet përmes përkrahjes shtesë për sigurinë kombëtare”, thotë Mackenzie Eaglen, eksperte për gatishmërinë ushtarake në Institutin Amerikan Enterprise.
Fjala është për projekt-ligjin e miratuar nga Senati me miliarda dollarë mbështetje ushtarake për Ukrainën, Izraelin, Tajvanin dhe vetë Shtetet e Bashkuara.
“Pesëdhjetë miliardë dollarë nga kjo, do të shfrytëzohen nga industria jonë e mbrojtjes. Kjo ka rëndësi të madhe edhe për sigurinë tonë kombëtare. Por Ukraina ka rëndësi jo vetëm për Evropën. Ka rëndësi për të gjithë botën”, thotë Sekretari i Mbrojtjes, Lloyd Austin.
Rëndësia kuptohet edhe nga fakti se Kina po vëzhgon se si SHBA-të dhe aleatët e saj reagojnë ndaj situatave të vështira.
“Pekini e di se sa raketa po blejmë apo prodhojmë në vit dhe sigurisht ato që kemi nuk mjaftojnë për të parandaluar një luftë në Azi”, thotë ekspertja Eaglen.
Kina ka kërcënuar të pushtojë Tajvanin nëse është e nevojshme, një veprim që do të trondiste të gjithë rajonin e Paqësorit.
Demokratët dhe republikanët në Senat këtë javë i kërkuan Dhomës për të votuar projekt-ligjin për sigurinë kombëtare.
“Sigurisht shpresoj që ky projekt-ligj do të miratohet shumë shpejt”, thotë Roger Wicker, senator republikan.
Projektligji financon dërgimin e më shumë nëndetëseve amerikane për një patrullim më të mirë të Paqësorit, një pjesë e të cilës mbulon operacionet e vazhdueshme të Ushtrisë në Evropë.
(Zëri i Amerikës)