Ankesa për shkarkime të padrejta në Radio Televizionin Shqiptar

Gazetarët dhe punonjësit tjerë të shkarkuar nga transmetuesi publik shqiptar, Radio Televizioni Shqiptar (RTSH), thonë se do të ngrenë padi për shkarkim të padrejtë nga puna, pas emërimit të drejtorit të ri, ish-deputetit të Partisë Socialiste, Alfred Peza.

Fjori Sinoruka, BIRN

Shkarkimet në televizionin publik të Shqipërisë kanë ngritur frikë të re për ndërhyrje politike pas zgjedhjes së një drejtori të ri, me disa prej atyre që humbën punën që i thanë BIRN se u pushuan në mënyrë të padrejtë pas shqyrtimit të nxituar nga komisionet ad hoc.

Sindikatat e medias në Shqipëri dhe Evropë kanë kritikuar një valë shkarkimesh në RTSH që kur Alfred Peza, ish-deputet i Partisë Socialiste në pushtet, u zgjodh drejtor në qershor.

Disa prej atyre që humbën punën kanë folur që atëherë me BIRN në kushte anonimiteti, nga frika e hakmarrjeve ligjore ose e rrezikut për të mos gjetur një punë të re.

Njëra, e cila u pushua nga puna për mungesë, tha se komisioni në rastin e saj nuk kishte marrë në konsideratë dokumentet që kishte siguruar për të justifikuar mungesën e saj në punë.

Një tjetër tha për BIRN se ditën që u bënë kontrollet, ajo e kishte pushim nga puna për të kompensuar turnet e punës gjatë fundjavës dhe pushimet e mëparshme. Shefi i saj i tha komisionit arsyen pse ajo mungonte, por pa asnjë dobi, tha ajo.

“Më pas shkova në komision dhe disa ditë më vonë më njoftuan për shkarkimin përfundimtar. Pas 11 vitesh punë, kjo ishte arsyeja”, shtoi ajo.

Avokatët e disa prej të shkarkuarve nga puna e vunë në dyshim procedurën.

“Për mua, komisioni ishte i paligjshëm sepse nuk kishte autorizim se si ishte ngritur, kush e legjitimoi, kush ishin personat e emëruar”, tha Margarita Kola, juriste dhe ish-eksperte ligjore në radio RTSH.

“Kushdo që drejton televizionin publik dhe kryen këto lloj shkarkimesh duhet të japë llogari para taksapaguesve shqiptarë, sepse këta njerëz do të shkojnë në gjykatë dhe shumica e tyre do të fitojnë”, tha Kola për BIRN.

“Dhe një njeri që shkon në një institucion dhe abuzon me paratë e shqiptarëve, e ka të paktën detyrim të shpjegohet”, tha ajo.

Avokati Besnik Dervishaj përmendi “shkelje shumë të rënda” të Kodit të Punës, duke përfshirë mungesën e shpjegimit, mosrespektimin e afateve kohore të njoftimit dhe mospërdorimin e masave disiplinore përpara se të kalohej të pushimi nga puna.

Dervishaj tha për BIRN se nëse rastet e tjera janë si dy rastet që ai kishte shqyrtuar, “jemi përballë një vepre penale të shpërdorimit të detyrës me pasoja të shumëfishta dhe në shumë episode kriminale”.

“Marrja” e RTSH-s nga Partia Socialiste

Një punonjës i tretë, një kameraman, tha se edhe ai e kishte humbur vendin e punës për shkak të mungesës kur, në fakt, po filmonte jashtë. Ai tha se supervizori i tij kishte folur në favor të rij në seancën e komisionit, por se edhe ai ishte shkarkuar nga puna.

Në një rast, dokumentet zyrtare të para nga BIRN thonë se punonjësi me dashje “shmangte detyrat që i ishin ngarkuar”, “duke i shkaktuar dëm ekonomik institucionit”.

Një tjetër, duke cituar kontrollet e kryera, ka vendosur se punonjësi nuk ka respektuar “detyrimet” dhe “përgjegjësitë” sipas kontratës së tyre me RTSH-në.

Të gjithë ish-punonjësit e kontaktuar nga BIRN thanë se kishin në plan të ngrinin padi për largim të padrejtë nga puna.

RTSH dhe drejtori i saj, Peza, nuk iu përgjigjën kërkesave për koment.

Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Evropiane të Gazetarëve, EFJ, Ricardo Gutierrez, i tha BIRN se “marrja” e RTSH-s nga Partia Socialiste ishte një “skandal serioz”.

“Televizioni publik duhet t’i përkasë të gjithë qytetarëve shqiptarë”, tha ai. “Por ajo që ne po shohim qartë këtu është kapja e televizionit publik për ta vënë atë në shërbim të interesave vetëm të partisë në pushtet.”

Gutierrez i bëri thirrje Bashkimit Evropian të Transmetuesve, EBU, “të vërë në pikëpyetje përkatësinë e RTSH-së, e cila nuk ofron më garancitë e nevojshme të pavarësisë”.

Emërimi i Pezës pasoi atë të Armela Krasniqit, ish-zëdhënëses së Partisë Socialiste, si kryetare e Autoritetit të Mediave Audiovizive në vitin 2021.

Shqipëria ra me 20 vende në indeksin e lirisë së shtypit të përpiluar nga Reporterët pa Kufij në vitin 2022, duke rënë nga vendi 83 në vendin e 103-të.

Në raportin e tij më të fundit mbi progresin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE, Komisioni Evropian tha se “asnjë progres” nuk ishte bërë përsa i përket lirisë së medias.

(Reporter.al)