Uashington, 29 mars 2024 – Sipas një anketimit të ri, amerikanët janë më të shqetësuar nga mundësia që emigrantët e ligjshëm të kryejnë krime në Shtetet e Bashkuara se sa disa vite më parë, një ndryshim i nxitur kryesisht nga shqetësimi i shtuar mes republikanëve, ndërsa demokratët vazhdojnë të shohin një gamë të gjerë përfitimesh nga imigracioni.
Sipas anketimit të kryer nga agjencia e lajmeve Associated Press dhe Qendra për Studimin e Çështjeve Publike, NORC, një pjesë e konsiderueshme e të rriturve amerikanë besojnë se emigrantët japin kontribute të rëndësishme në ekonominë dhe kulturën e vendit. Por kur bëhet fjalë për emigrantët e ligjshëm, amerikanët shohin më pak përfitime të mëdha sesa në të kaluarën, dhe më shumë rreziqe.
Rreth 4 në 10 amerikanë thonë se emigrantët që vijnë në mënyrë të ligjshme në Shtetet e Bashkuara sjellin përfitime të mëdha për kompanitë amerikane, me ekspertizën e punëtorëve të kualifikuar në fusha si shkenca dhe teknologjia. Një përqindje e ngjashme, rreth 38% e të anketuarve thanë gjithashtu se emigrantët e ligjshëm japin një kontribut të madh në shoqëri, duke pasuruar kulturën dhe vlerat amerikane.
Të dyja këto shifra shënojnë rënie në krahasim me anketimet e vitit 2017, në të cilat 59% e amerikanëve thanë se punëtorët emigrantë të kualifikuar që vijnë në mënyrë të lighshme në vend ofronin përfitime të mëdha dhe gjysma thanë se emigrantët e ligjshëm japin një kontribut të madh në pasurimin e kulturës amerikane.
Ndërkohë, përqindja e amerikanëve që thonë se ekziston një rrezik i madh që emigrantët e ligjshëm të kryejnë krime në Shtetet e Bashkuara është rritur, duke shkuar nga 19% në 2017 në 32% në sondazhin e fundit.
Republikanët janë më të prirur të thonë se imigracioni është një çështje e rëndësishme për ta personalisht, dhe 41% tani thonë se ka një rrezik të madh që emigrantët e ligjshëm të kryejnë krime në Shtetet e Bashkuara, nga 20% që shprehën këtë mendim në 2017. Në përgjithësi, republikanët janë më të prirur të përqendrohen tek rreziqet e mëdha se sa tek përfitimet që vijnë nga emigrantët që hyjnë në vend në mënyrë të ligjshme dhe të paligjshme, megjithëse ata priren të jenë më të shqetësuar për njerëzit që vijnë në vend në mënyrë të paligjshme.
Bob Saunders, një votues i pavarur 64-vjeçar nga Nju Xhersi, nuk mbështet punën e Presidentit Biden mbi çështjen e imigracionit dhe sigurinë kufitare. Ai thotë se ka një ndryshim midis imigrimit të ligjshëm dhe atij të paligjshëm. Zoti Saunders tha se është e rëndësishme të dihet historia e emigrantëve që vijnë në Shtetet e Bashkuara dhe se imigrimi i ligjshëm kontribuon në ekonomi. Ai gjithashtu përmendi përvojën e emigrantëve të familjes së tij.
“Nuk jam kundër imigracionit. Jam kundër imigracionit të paligjshëm”, tha zoti Saunders.
Rreth 71% e republikanëve thonë se ekziston rreziku që njerëzit që vijnë në vend në mënyrë paligjshme të kryejnë krime, megjithëse shumë studime kanë zbuluar se emigrantët kanë më pak prirje të kryejnë krime të dhunshme sesa qytetarët e lindur në vend. Rreth 80% e republikanëve mendojnë se ekziston një rrezik i madh që imigrantët e paligjshëm në vend të rëndojnë programet e shërbimit publik, ndërsa rreth 6 në 10 republikanë janë të shqetësuar se ekziston një rrezik i madh që ata t’u marrin amerikanëve vendet e punës. Sipas tyre, rritja e popullsisë së imigrantëve të paligjshëm do të dobësojë identitetin amerikan dhe do të rrisë rrezikun që ata të votojnë në mënyrë të paligjshme, megjithëse vetëm një numër i vogël votuesish pa shtetësi amerikane janë zbuluar deri më tani.
Demokratët, nga ana tjetër, kanë më shumë gjasa të shohin përfitime nga emigracioni, megjithëse sondazhi vuri në dukje se vetëm gjysma e demokratëve tani mendojnë se emigrantët e ligjshëm po japin kontribute të rëndësishme në kompanitë amerikane, një rënie prej më shumë se 20 për qind krahasuar me vitin 2017. Por ata kanë më shumë gjasa se republikanët të thonë se aftësia e njerëzve për të ardhur nga vende të tjera të botës për t’i shpëtuar dhunës ose për të gjetur mundësi ekonomike është një gjë shumë e rëndësishme për identitetin e vendit.
Ekziston gjithashtu një ndarje partiake mbi vlerën e larmisë etnike, me 83% të demokratëve që thonë se ajo bën vendin të paktën mesatarisht më të fortë, krahasuar me 43% të republikanëve dhe të pavarurve që ndajnë këtë pikëpamje. Republikanët kanë më shumë gjasa se demokratët të thonë se një kulturë e përbashkët amerikane dhe një grup vlerash janë shumë të rëndësishme për identitetin e Shteteve të Bashkuara, megjithëse rreth gjysma e demokratëve e shohin gjithashtu këtë si të rëndësishme. Të rriturit në Shtetet e Bashkuara, veçanërisht republikanët, kanë më shumë gjasa të thonë se vendi ka pësuar një ndryshim të madh nga emigrantët në pesë vitet e fundit sesa të thonë se emigrantët kanë ndryshuar komunitetin ose shtetin e tyre. Rreth 3 në 10 të rritur amerikanë thonë se emigrantët kanë pasur një ndikim të madh në komunitetin e tyre, ndërsa rreth 6 në 10 thonë se ata kanë pasur një ndikim të madh tek vendi në tërësi. Hendeku midis perceptimeve të ndikimit të komunitetit dhe efekteve në vendin në tërësi është veçanërisht i gjerë midis republikanëve.
Ekziston në një farë mase një emërues i përbashkët për mënyrën se si duhet të trajtohet imigracioni në kufirin SHBA-Meksikë. Sipas sondazhit, opsioni më popullor është punësimi i më shumë agjentëve të Patrullës Kufitare, i cili mbështetet nga rreth 8 në 10 republikanë dhe rreth gjysma e demokratëve. Punësimi i më shumë gjykatësve të imigracionit dhe personelit gjyqësor është gjithashtu i favorizuar nga shumica e njerëzve në të dyja partitë.
Rreth gjysma e amerikanëve mbështet reduktimin e numrit të emigrantëve që lejohen të kërkojnë azil në Shtetet e Bashkuara pas mbërritjes në kufi, por ka një dallim shumë më të madh në vija partiake për këtë çështje, me më shumë republikanë sesa demokratë që favorizojnë këtë strategji. Ndërtimi i një muri, synim i ish Presidentit Donald Trump, është opsioni më pak i preferuar dhe më polarizues. Rreth 4 në 10 amerikanë mbështesin ndërtimin e një muri në kufirin SHBA-Meksikë. Rreth 77% të republikanëve dhe vetëm 12% e demokratëve e mbështesin këtë veprim.
Kongresi së fundmi miratoi një fond për punësimin e rreth 2,000 agjentëve të tjerë të Patrullës Kufitare, por deri më tani këtë vit, nuk ka pasur një nxitje të konsiderueshme për miratimin e fondeve për punësim të më shumë gjykatësve të imigracionit. Shumë ligjvënës nga të dyja partitë thonë se tani merr shumë kohë për të vendosur mbi çështjet e azilit, që do të thotë se emigrantët qëndrojnë në vend për vite në pritje të një vendimi, por ligjvënësit nuk kanë arritur të gjejnë konsensus për zgjidhjen e kësaj çështjeje.
(Zëri i Amerikës)