Uashington, 5 korrik 2024 – Anketat e kryera në prag të zgjedhjeve të sotme tregojnë se votuesit amerikanë janë thellësisht të ndarë midis dy kandidatëve: demokrates Kamala Harris dhe republikanit Donald Trumop.
Anketat e minutës së fundit tregojnë se gara ndërmjet tyre është e barabartë edhe në shtetet e fushëbetejës, të cilat tradicionalisht e përcaktojnë fituesin e zgjedhjeve presidenciale në SHBA.
Anketa e rrjetit ABC News tregon se zoti Trump mund të jetë fitues në pesë nga shtatë shtetet e fushëbetejës, por gazeta The Washington Post thotë se anketat e saj e nxjerrin zonjën Harris fituese në katër shtete. New York Times thotë se zoti Trump kryeson në katër shtete, zonja Harris në dy dhe gara është e barabartë në Pensilvani.
Fituesi i zgjedhjeve presidenciale në SHBA nuk vendoset nga vota popullore kombëtare, por përmes Kolegjit Zgjedhor. Dyzetetetë prej shteteve i japin të gjitha votat e tyre elektorale fituesit në ato shtete. Dy shtete – Maine dhe Nebraska – i ndajnë votat elektorale në bazë të rezultatit.
Numri i votave elektorale në çdo shtet bazohet në popullsinë, kështu që shtetet më të mëdha ushtrojnë ndikimin më të madh në përcaktimin e rezultatit të përgjithshëm kombëtar. Fituesit i duhen 270 nga 538 votat elektorale për të siguruar presidencën. Vetëm Pensilvania ka 19 vota elektorale.
Anketat i nxjerrin herë zonjën Harris herë zotin Trump me epërsi të konsiderueshme në 43 prej shteteve, të mjaftueshme që secili të sigurojë 200 vota elektorale ose më shumë.
Fituesi do të vendoset në shtatë shtetet e mbetura të fushëbetejës, ku si zonja Harris ashtu edhe zoti Trump kanë organizuar tubime të shpeshta, por duke injoruar pjesën tjetër të vendit gjatë fushatës.
(r.m.)