Nga Ruben Avxhiu
Ish-Presidenti Donald Trump do ta mundë Presidentin aktuaal Joe Biden nëse do të përballen në 2024, bazuar në preferencat e sotme, sipas një anketimi të kryer nga Harvard-CAPS-Harris, bën të ditur portali “The Hill”.
Trump do të merrte 47% krahasuar me 41% të votës që do të shkonte për Presidentin Biden. 12% dalin të pavendosur.
Zv-Presidentja Kamala Harris doli edhe më keq në këtë anketim. Trump do të fitonte 49%-38% ndaj saj.
Anketimi mbështet dy argumente që kanë thënë disa herë në muajt e fundit. E para se njerëzit janë të pakënaqur me punën e kësaj administrate dhe se Trump vazhdon të jetë shumë popullor mes Republikanëve dhe mesa duket edhe një pjesë të të pavarurve.
Si Trump ashtu edhe Biden janë mjaft të moshuar dhe ndonëse nuk kanë ndonjë problem shëndetësor të njohur mund të mos rikandidojnë në 2024.
Guvernatori i Florida-s, Ron DeSantis është pretendenti kryesor nëse Trump nuk kandidon nga ana e Republikanëve. Mirëpo, anketimi tregon se një betejë mes tij dhe Zv-Presidentes Harris, kjo e fundit do të fitonte 40%-38%.
Është shpejt për të qenë i sigurtë sesi do të votojnë njerëzit më shumë se dy vjet më vonë. Prirjet e votimit ndryshojnë nganjëherë brenda pak muajve. Më e mundshme për momentin është që Demokratët të humbasin në zgjedhjet e mes-mandatit për Kongres në nëntor. Shumë gjëra mund të ndryshojnë deri një vit më vonë kur të fillojnë përgatitjet e para për presidencialet e vitit 2024.