Tiranë, 6 korrik 2021 – Në Shqpëri, Komisioneri Publik bëri të ditur se ka ankimuar vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK), sipas të cilit drejtuesja e Prokurorisë së Tiranës, Elizabeta Imeraj, vlerësohej pozitivisht në të tria kriteret e procesit të Vettingut, duke u konfirmuar në detyrë.
Në njoftimin e tij, Komisioneri Publik shprehet se ka konstatuar se “vendimi (i KPK-së) është i cënueshëm në tërësinë e tij dhe se subjekti i rivlerësimit, znj. Elizabeta Imeraj, nuk plotëson kushtet për konfirmimin në detyrë”.
Përmes ankimimit “Komisioneri Publik kërkon nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit të marrë në shqyrtim çështjen në seancë publike dhe, në përfundim të gjykimit, të ndryshojë vendimin nr.363, datë 1.4.2021, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, duke vendosur shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, Elizabeta Imeraj”.
Vendimi i Komisionerit për të kundërshtuar vlerësimin ndaj prokurores Imeraj, pason rekomandimin e marrë nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit (ONM), sipas të cilit “një vlerësim i duhur i fakteve dhe rishikimi i provave shkresore do ta çonte Kolegjin në ndryshimin e vendimit të Komisionit dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit”.
Vendimi i ONM-së mori mbështetje publike dhe nga ambasadorja amerikane Yuri Kim dhe ambasadori i Delegacionit të Bashkimit europian Luigi Soreca.
Vëzhguesit ndërkombëtarë, i kishin paraqitur vërejtjet e tyre dhe gjatë procesit të vlerësimit në KPK, ku ata patën dhe një përplasje të fortë direkte me prokuroren Imeraj. Por sipas përfaqësuesve të ONM-së, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit në disa raste “dështoi të kryente hetime dhe verifikime të thelluara”.
(Zëri i Amerikës)