Antony Blinken arrin në vizitë njëditëshe në Shqipëri

Tiranë, 15 shkurt 2024 – Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka mbërritur në Tiranë.

Në aeroportin “Nënë Tereza ai është pritur nga ministri i Punëve të Jashtme, Igli Hasani.

Ministri Hasani, pas pritjes së sekretarit Blinken, tha se partneriteti I Shqipërisë me SHBA-në vazhdon të forcohet nga dita në ditë.

“Mirë se erdhe Antony! Kënaqësi të mirëpres Sekretarin Amerikan të Shtetit Antony Blinken në vizitën e tij të parë zyrtare në Shqipëri. Partneriteti dhe bashkëpunimi strategjik i Shqipërisë me SHBA-në, aleatin tonë të vjetër, vetëm sa do të forcohet, i ndërtuar mbi një themel të fortë midis vendeve dhe njerëzve tanë. I jam jashtëzakonisht mirënjohës Sekretarit Blinken për mbështetjen dhe bashkëpunimin e tij të paçmuar.“, shkruan Hasani.

Diplomati i lartë amerikan pritet të qëndrojë në Tiranë deri në 20:00. Ai do të takohet me kryeministrin Edi Rama dhe me presidentin Bajram Begaj.

Në përfundim të takimeve, Blinken dhe Rama do të mbajnë një konferencë të përbashkët për medie.

Gjatë qëndrimit në Tiranë, Antony Blinken do të ketë një takim me të rinj dhe një takim me shtetas afganë që janë strehuar në Shqipëri.

Kjo është vizita e parë e kryediplomatit amerikan në Tiranë dhe sipas Departamentit amerikan të Shtetit, ajo do të përqendrohet në të ardhmen e Shqipërisë dhe të Ballkanit Perëndimor.

Gjatë qëndrimit në Shqipëri, kryediplomati amerikan do të mbajë një fjalim në një ngjarje për të rinj që organizohet për të shënuar “të ardhmen e raporteve SHBA-Shqipëri.

Blinken do të marrë pjesë në një ceremoninë e nënshkrimit të një memorandumi të mirëkuptimit për programin “Fulbright” të këmbimit të studentëve dhe nënshkrimit të një memorandumi kundër manipulimit të informacionit të një shteti të huaj, që përfshihet në kuadrin e bashkëpunimit në mbrojtjen nga sulmet kibernetike.

Associated Press raporton se gjatë vizitës së Blinkenit në Tiranë ka të ngjarë të adresohen edhe tensionet mes Kosovës dhe Serbisë dhe dialogu midis këtyre dy shteteve.

Kjo është vizita e parë e sekretarit Blinken në Shqipëri dhe e gjashta e një sekretari amerikan të Shtetit. Në vitin 1991, Shqipërinë e vizitoi James Baker, Madeleine Albright më 2000, Colin Powell më 2003, Hillary Clinton më 2012 dhe John Kerry në vitin 2016.

(r.m.)