Tiranë, 13 qershor 2023 – Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, njoftoi për anulimin e mbledhjees së përrbashkët të qeverive të Kosovës dhe të Shqipërisë, e cila duhet të mbahej nesër në Gjakovë.
Sipas Ramës, shkak pëër anulimin e mbledhjes është situata e tensionuar në pjesën veriore të Kosovës, e cila ka shkaktuar tensione edhe në marrëdhëniet e Kosovës me aleatët perëndimorë.
Rama tha se kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i ka kërkuar të ndryshohet formati i mbledhjes gjë që është refuzuar nga Kurti.
“E kam informuar kryeministrin Kurti se në kushtet e agravimit të marrëdhënieve të Kosovës me krejt bashkësinë euroatlantike, ky takim nuk mund të mbahet në formatin e parashikuar”, tha Rama gjatë konferencës së jashtëzakonshme për media.
“Pasi kam folur pasdite me shefin e diplomacisë evropiane, Josep Borrell, i kam kërkuar Albinit për t’u takuar nesër në Gjakovë në një format më të ngushtë, përkatësisht me ministrat e Jashtëm dhe ata të Mbrojtjes për të diskutuar pikërisht lidhur me këtë situatë, e cila po e çan në mënyrë dramatike Kosovën me bashkësinë euroatlantike në një pikë të paimagjinueshme, ku kjo e fundit ka vënë gishtin, faktikisht, në butonin që do vërë në lëvizje planin e sanksioneve ndaj shtetit që e ka krijuar vetë”, shtoi ai.
Rama tha se për shkak të situatës në veri të Kosovës dhe përkeqësimit të raporteve të Prishtinës me aleatët perëndimorë, takimi në Gjakovë nuk është i mundur të mbahet siç ishte paraparë. Ai tha se Kurti kishte kërkuar që mbledhja të mbahej normalisht, ndërsa për situatën e krijuar në veri të Kosovës mund të diskutohej veçmas.
“Nuk është një moment për të krijuar një pasqyrë të rreme të asaj që në fakt ndodh në realitetin e Kosovës sot”, tha ai.
Rama tha se nga ndërkombëtarët ka kërkuar që Qeverisë së Kosovës t’i jepet edhe pak kohë dhe se kjo kohë i është dhënë asaj.
“Nëse kjo kohë nuk shfrytëzohet, atëherë kam shumë frikë se plani, që është një plan realisht shumë i rëndë për Kosovën, do të vihet në lëvizje”, theksoi.
Megjithatë, Rama tha se përgjigja e Kurtit për ndryshimin e formatit të mbledhjes nuk është përfundimtare, dhe shfaqi shpresën se mbledhja do të mbahet.
Mbledhja e përrbashkët e dy qeverive ishte paraparë të udhëhiqej nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Mbledhja në Gjakovë pritej të mbahej disa ditë pasi Rama ua ka dërguar një draft për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë, presidentit të Francës, Emmanuel Macron, dhe kancelarit gjerman, Olaf Scholz.
Rreth këtij propozimi, Kurti të martën në një konferencë për media ka thënë se Rama, në vend që të propozojë Asociacion për serbët në Kosovë, le t’ia propozojë një të tillë Beogradit, për shqiptarët në Serbi.
Rama nuk e fshehu revoltën e tij për refuzimin e draftit nga Kurti, sidomos për mënyrën se si e bëri këtë në mënyrë publike.
Në mbledhjen e nëntë mes dy qeverive pritej të nënshkruheshin 13 marrëveshje në fusha të ndryshme: drejtësisë, arsimit, shëndetësisë, bujqësisë, kulturës, ndërmarrësisë dhe mbrojtjes. Në mesin e tyre ishte edhe një deklaratë për forcimin e bashkëpunimit mes dy shteteve në fushën e sigurisë.
Qeveria e Kosovës ka thënë paraprakisht se nga 41 marrëveshje të nënshkruara në dy mbledhjet pararendëse, 39 prej tyre janë zbatuar plotësisht e dy tjera janë në fazën finale të zbatimit.
(r.m.)