Zagreb, 19 mars 2025 – Ministri kroat i Mbrojtjes, Ivan Anushiq, i është përgjigjur reagimit të Serbisë ndaj nënshkrimit të marrëveshjes për aleancë ushtarake mes Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë.
Ministria e Punëve të Jasthme e Serbisë e quajti marrëveshjen tripalëshe si “provokim”, për Serbinë dhe ka paralajmëruar se nga Kroacia dhe Shqipëria do të kërkojë shpjegim të detajuar lidhur me marrëveshjen. Ajo është shprehur me pezm sidomos për shkak të përfshirjes së Kosovës në këtë aleancë dhe për shkak se Zagrebi dhe Tirana nuk e kanë konsultuar fare Beogradin.
Anushiq ka thënë se koha kur Kroacia e ka pyetur Beogradin ka kaluar dhe nuk do të kthehet kurrë më.
“Ka kaluar koha kur Kroacia e pyeste Beogradin se çfarë i lejohej të bënte dhe si duhet ta bënte, dhe kjo nuk do të ndodhë më kurrë. Kemi 35 vjet që jemi shtet i pavarur, i kemi kaluar pesë vjet agresion dhe politikë që mbrojti një narrativë të tillë. Kroacia do të nënshkruajë deklarata me kë të dojë, ndërsa bashkëpunimi me Shqipërinë dhe me Kosovën është i fokusuar në shkëmbimin e njohurive, bashkëpunimin ndërmjet industrive ushtarake dhe në mbështetjen e rrugëtimit të Shqipërisë dhe të Kosovës në strukturat euro-atlantike”, ka shkruar Anushiq në platformën X.
Kosova, Shqipëria dhe Kroacia nënshkruan të martën në Tiranë memorandumin trepalësh për aleancë ushtarake. Memorandumi ka qëllim promovimin e bashkëpunimit në ngritjen e kapaciteteve të mbrojtjes dhe të industrisë së mbrojtjes, rritjen e ndërveprueshmërisë përmes edukimit, trajnimit e ushtrimeve, kundërveprimin ndaj kërcënimeve hibride, forcimin e qëndrueshmërisë strategjike, ofrimin e mbështetjen së plotë për integrimin euroatlantik dhe atë të mbrojtjes rajonale.
(r.m.)