Nju Jork, 18 shtator 2024 – Asambleja e Përgjithshme (AP) e Oorganizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) e mbështeti me shumicën dërrmuese të votave një rezolutë të propozuar nga delegacioni palestinez që kërkon që Izraeli t’i japë fund “pranisë së tij të paligjshme” në Gaza dhe Bregun Perëndimor. Për rezolutën votuan 124 vende anëtare të organizatës, kundër votuan 14 ndërsa abstenuan 43 vende.
Rezoluta kërkon tërheqjen e të gjitha forcave izraelite dhe evakuimin e kolonëve hebrenj nga territoret e pushtuara palestineze “pa vonesë”. Gjithashtu u bën thirrje vendeve anëtare të OKB-së që “të ndërmarrin hapa” për përfundimit të furnizimit të Izraelit me armë që mund të përdoren në zonat palestineze.
Ambasadori i Izraelit në OKB, Dani Danon, e quajti rezolutën “përpjekje për ta shkatërruar Izraelin përmes terrorizmit diplomatik”. Ai tha se rezoluta “e injoron të vërtetën, i shtrembëron faktet dhe zëvendëson realitetin me trillim” dhe se ajo nuk i përmend krimet e Hamasit.
SHBA voti kundër miratimit të rezolutës, të cilën e konsideron të padobishme për procesin e vendosjes së armëpushimit në Rripin e Gazës.
“Kjo rezolutë nuk ofron asnjë shpresë apo rrugë përpara”, tha ambasadorja amerikane në OKB, Linda Thomas-Greenfield.
“Miratimi i saj nuk do të shpëtojë jetë palestineze, nuk do t’i kthejë pengjet në shtëpi, nuk do t’i japë fund vendbanimeve izraelite dhe nuk do të ringjallë procesin e paqes”, shtoi ajo gjatë diskutimit për projekt-rezolutën.
Rezolutat e AP të OKB-së nuk janë ligjërisht detyruese, por ato e mbajnë peshën e komunitetit ndërkombëtar.
(r.m.)