Apeli e kthen në qeli ish-deputetin socialist Alqi Bllako, i akuzuar për korrupsion

Tiranë, 9 nëntor 2022 – Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi të mërkurën masën e sigurisë arrest me burg për ish-deputetin, Alqi Bllako i akuzuar për korrupsion në aferën e inceneratorëve.

Trupi gjykues monokratik i përbërë nga gjyqtarja, Ilirjana Olldashi vendosi masën e sigurimit personal me efekt shtrëngues “arrest në burg” ndaj të hetuarit Alqi Bllako ndërkohë që rrëzoi kërkesën e tij për ta zëvendësuar atë.

Alqi Bllako u vetëdorëzua në polici më 1 prill të këtij viti, pasi Gjykata e Posaçme caktoi më parë masën e “arrestit me burg” pas hetimit për kontratën koncesionare të Fierit me një vlerë të përllogaritur në 28 milionë euro.

Por me 6 tetor, drejtuesja e Gjykata e Posaçme në shkallë të parë, Irena Gjoka e zëvendësoi masën e sigurisë ndaj tij nga arresti me burg në arrest shtëpie.

Së bashku me Bllakon, SPAK ka ngritur akuza edhe ndaj 9 zyrtarëve të tjerë të lidhur me procedurat e koncesionit për inceneratorin e Fierit, përfshi edhe ish-Ministrin e Mjedisit, Lefter Koka i cili gjendet në burg që prej dhjetorit 2021.

Sipas SPAK, Bllako ka falsifikuar të dhënat për tokën mbi të cilën është ndërtuar inceneratori i Fierit, duke i ndryshuar kartelën nga “tokë arë” në “tokë truall”, gjë që ka çuar në një rritje të kostos së shpronësimit me 16 milionë lekë.

Ish-deputeti i PS-së akuzohet gjithashtu se ka përfituar padrejtësisht me anë të punësimit të babait të tij, Edmond Bllako, pranë kompanisë koncesionare “Integrated Energy BV SPV” të inceneratorit të Tiranës.

Ndërkohë, një shumë prej 146 milionë lekësh dyshohet se ka përfunduar në xhepat e familjarëve të ish-ministrit Lefter Koka, i dyshuar për përfitime të ngjashme nga koncesioni i inceneratorit të Elbasanit.

Bllako dhe Koka i kanë mohuar akuzat për korrupsion përpara gjykatës.

Qeveria e kryeministrit Edi Rama ka dhënë tre kontrata koncesionare për ndërtimin e incineratorëve në Elbasan, Fier dhe Tiranë, te një grup kompanish të lidhura me njëra-tjetrën, nën pronësinë e personave pa eksperiencë të mëparshme në këtë fushë.

Koncesioni i parë, inceneratori i Elbasanit, u sekuestrua nga prokuroria dhjetorin e kaluar, pak ditë para se kompania t’i transferohej Bashkisë së Elbasanit me përfundimin e kontratës së koncesionit. Më vonë u vendos nën sekuestro preventive edhe kompania e inceneratorit të Fierit, kontrata për të cilën ishte pranë përfundimit.

Lidhur me këto afera korruptive, SPAK ka kërkuar gjithashtu arrestimin e Stela Gugalles, e cila është pronarja e kompanisë “Albtek Energy” si dhe Klodian Zotos, pronar i kompanisë Integrated Technology Services, por këta të fundit nuk janë arrestuar ende nga policia.

Mbi të dyshuarit rëndojnë akuzat e korrupsionit të zyrtarëve të lartë dhe të pastrimit të parave. SPAK ka refuzuar të bëjë të ditur nëse Gugallja dhe Zoto janë shpallur në kërkim ndërkombëtar.

(Reporter.al)