Gjykata e Posaçme të Apelit ka rrëzuar vendimin e Shkallës së Parë për ish-ministrin e Mbrojtjes Fatmir Mediu, duke pranuar kërkesën e SPAK-ut për gjykimin e tij.
Vendimi u mor në dhomë këshillimi.
“Me referimin në parashikimin e pikës 1, shkronja b), të nenit 46, të ligjit 98/2016 “Për Organizimin e Pushtetit Gjyqësor në Republikën e Shqipërisë” si dhe, në interesin e treguar nga media, komunikohet në mënyrë të përmbledhur se, sot më datë 24.09.2021, në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, mbi ankimin e Prokurorit të Posaçëm dhe të trashëgimtarëve të viktimës E.D., u zhvillua seanca gjyqësore në dhomë këshillimi, për çështjen penale nr. 212 akti, datë 03.09.2021 regjistrimi, ku Gjykata vendosi, të ndryshojë vendimin nr. 60, datë 27.07.2021 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, duke pranuar kërkesën e Prokurorit të Posaçëm dhe revokoi vendimin e pushimit nr. 6, datë 14.09.2009 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, duke i kthyer aktet Prokurorit të Posaçëm për të proceduar” thuhet në njoftimin për mediat të Apelit të Posaçëm.
Shkalla e parë vendosi ta refuzojë kërkesën, por SPAK kërkon që ish-ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu të gjykohet për shpërdorim detyre ne lidhje me tragjedinë e Gërdecit.
Si SPAK dhe avokatët e Mediut pritet të njihen më parë me vendimin e gjyqtares Dollani dhe më pas të procedojnë.
Avokatët e Mediut pritet të ankimojnë vendimin e Apelit në Gjykatë të Lartë.
Ndërkohë SPAK i tha televizionit “Ora” se “do të shohim vendimin, pastaj do të veprojmë.”
Më 27 korrik Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar rrëzoi kërkesën e prokurorisë për rifillimin e hetimeve për Mediun, lidhur me tragjedinë e Gërdecit që shkatoi 26 të vdekur e qindra të plagosur, 15 mars 2008, me argumentin se ka kaluar afati 10-vjeçar i ndjekjes penale dhe rrjedhimisht çështja duhet te pushohet, por SPAK nuk u tërhoq duke e çuar çështjen në Apel.