Ish-Kryeprokurori Adriatik Llalla u deklarua “fajtor” nga Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me vendimin numër 24 më 22 shtator 2021
Knid Ndrenika
Gjykata e Posaçme e Apelit rrëzoi kërkesën për pezullimin e ekzekutimit të dënimit të ish-Prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla.
Këtë të mërkurë Gjykata e Posaçme e Apelit la në fuqi vendimin e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për të mos e pezulluar ekzekutimin për dënimin e zotit Llalla.
Ish-Kryeprokurori Llalla u deklarua “fajtor” nga Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me vendimin numër 24 më 22 shtator 2021.
Kërkesa për pezullimin e vendimit për shkak se i dënuarit vuan nga një sëmundje e pakthyeshme, mbështetet në nenin 476/c të Kodit të Procedurës Penale të Shqipërisë.
Ky nen parasheh që vendimi penal të shtyhet kur vuajtja në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP, burg), sjell pasoja jete për të dënuarin, raporton korrespondenti i RTK-së Denion Ndrenika.
Ish-Kryeprokurori u akuzua për kryerjen e veprës penale “Refuzimi për deklarim, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publik ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, parashikuar nga neni 257/a, paragrafi 2 i Kodit Penal, 3 (tre) herë, dhe dënimin e tij me 2 (dy) vjet burgim si dhe në bazë të nenit 35 të Kodit Penal heqjen e të drejtës për të ushtruar funksione publike për të pandehurin Adriatik Llalla për një periudhë 5 (pesë) vjeçare.
Zotit Llalla iu vendos sekuestrim dhe konfiskim i pasurive, përkatësisht apartament me sipërfaqe 67.2 m2, në Durrës dhe tokë arë, 4 (katër) me sipërfaqe gjithsej 22.300 m2 në Tiranë.
Ish-Prokurori i Përgjithshëm, Llalla është larguar jashtë Shqipërisë pak ditë përpara vendimit të gjykatës.