Apeli ia rikthen Berishës masën “detyrim paraqitje” në policinë gjyqësore

Tiranë, 3 janar 2025 – Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi të premten më 3 janar rikthimin e masës së sigurimit personal “detyrimin për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha, i marrë i pandehur nga SPAK për veprën penale të korrupsionit pasiv.

Berisha u lirua më 27 nëntor 2024 nga masa e arrestit shtëpiak me vendim të shkallës së parë, por kjo vendimarrje u rrëzua të premten nga gjyqtari i Apelit, Engert Pëllumbi. Ky i fundit e rrëzoi kërkesën e Berishës për shuarjen e masës së sigurimit me karakter shtrëngues “arresti në shtëpi” dhe e zëvendësoi me masën e sigurimit “detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”.

Gjykata e urdhëron Berishën të paraqitet përpara oficeres së policisë gjyqësore, Adelajda Metaj në SPAK, të hënën e parë dhe të tretë të çdo muaji, në orën 10:00.

Avokati i Berishës, Genc Gjokutaj e kundërshtoi vendimin dhe theksoi se ishin të paqartë se si gjykata kishte arritur në këtë përfundim.

“Vendimi është i çuditshëm, Prokuroria kërkoi vetëm që të merrej masa arrest shtëpie,” tha Gjokutaj për gazetarët.

Ish-kryeministri Sali Berisha është marrë i pandehur me akuzën “korrupsion pasiv” nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK, dhe çështja ka shkuar në gjykatë për shqyrtim.

I pandehur për të njëjtën vepër penale është edhe dhëndri i Berishës, Jamarbër Malltezi, i cili akuzohet për përfitimin e të ardhurave në vlerën e 5.4 milionë eurove nga një biznes ndërtimi në mënyrë të parregullt, falë vendimeve të qeverisë të marra nga vjehrri i tij.

Si Berisha ashtu edhe Malltezi i kanë kundërshtuar akuzat dhe e kanë cilësuar hetimin si të orkestruar nga kryeministri Edi Rama. Gjithashtu, Berisha dhe mbështetësit e tij e kanë cilësuar këtë masë si përpjekje për asgjësimin e opozitës.

Edhe pse në arrest shtëpie, Berisha vijoi aktivitetin e tij politik duke mbajtur fjalime për simpatizantët e tij çdo ditë në dritaren e apartamentit të tij ku po vuante dënimin, ndërsa Kuvendi nuk ia hoqi mandatin e deputetit duke e cilësuar mungesën të justifikuar.

Berisha, 80 vjeç, është zyrtari më i lartë i opozitës në tre dekada që përballet me një situatë të tillë ligjore. Hera e fundit që një ish-kryeministër është përballur me heqje imuniteti, arrestim dhe proces gjyqësor ka qenë në vitin 1993, kur mazhoranca e asaj kohe e Partisë Demokratike autorizoi arrestimin dhe përndjekjen e ish-kryeministrit socialist, Fatos Nano.

(Reporter.al)

Comment

*