Apeli lë në fuqi dënimin me 88 vjet burg për anëtarët e grupit të trafikut të kokainës nga Kolumbia

Tiranë, 30 dhjetor 2024 – Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi të hënën më 30 dhjetor të lërë në fuqi vendimarrjen e Shkallë së Parë ndaj ish-kryetarit socialist të ish-komunës Frakull në Fier, Viktor Çervanaku dhe 10 personave të tjerë, të akuzuar për trafikimin nga Kolumbia të 485.5 kg kokainë. Të 11 të pandehurit u deklaruan fajtorë në të dy shkallët e gjykimit dhe u dënuan përfundimisht nga 88 vjet e 4 muaj burgim në total.

Të pandehurit Nikolin Gjolena, Denilson Çervanaku dhe Klajdi Vrioni alias Klajdi Kodra u dënuan me nga 11 vjet e 4 muaj burgim secili; Viktor Çervanaku me 10 vjet heqje lirie; Zenel Çervanaku dhe Redion Meshi me nga 9 vjet e 4 muaj burg; Enxhi Ferhati, Marildo Rona dhe Bledar Matoshi me nga 8 vjet burgim dhe Julian Malaj me 2 vjet heqje lirie. Malaj u lirua pasi koha e zgjatjes së paraburgimit ishte më e madhe se dënimi i dhënë ndaj tij.

Nga hetimet rezultoi se lënda narkotike u fsheh dhe u transportua nëpërmjet një ngarkese me pleh organik artificial, e paketuar dhe ngarkuar në një kontejner, që është transportuar nga Kolumbia në Portin e Pireut në Greqi dhe më pas në drejtim të Portit të Barit, në Malin e Zi. Në rrugë tokësore ngarkesa u fut në Shqipëri më 19 shtator 2022 dhe pasi u zhdoganua në Doganën e Tiranës, u transportua në fshatin Frakull e Madhe në Fier, ku dhe u mundësua sekuestrimi.

Kokaina ka qenë e përzier me “plehun organik” artificial dhe pas mbërritjes së saj në destinacion, organizatorët e trafikut do të gjenin dhe siguronin personat e specializuar që do të mundësonin ekstraktimin e kokainës së pastër, e cila më pas do të tregtohej. Sipas ekspertimit kimik të kryer nga Instituti i Policisë Shkencore ka rezultuar se nga procesi ekstraktimit do të përfitohej një sasi prej 485.5 kokainë.

Të pandehurit Viktor Çervanaku, Nikolin Gjolena, Klajdi Vrioni (alias Klajdi Kodra) dhe Denilson Çervanaku, u akuzuan nga SPAK se ishin personat që kishin krijuar, organizuar dhe drejtuar grupin kriminal.

(Reporter.al)

Comment

*