Tiranë, 19 nëntor 2024 – Gjykata e Posaçme e Apelit la në fuqi të martën më 19 nëntor vendimin e shkallës së parë për caktimin e masave të sigurimit personal ndaj kryetarit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta dhe bashkëshortes së tij, Monika Kryemadhi, të cilët po hetohen për korrupsion, pastrim parash dhe mosdeklarim e fshehje pasurie nga SPAK.
Meta ndodhet në qeli që prej arrestimit të tij më 21 tetor, ndërsa Kryemadhi po hetohet në gjendje të lirë, në masën e “detyrimit për paraqitje”.
Meta dhe Kryemadhi e kundërshtuan vendimarrjen në Apel duke kërkuar revokimin e masës ose në alternativë hetim në gjendje të lirë, por gjyqtarja Igerta Hysi e ka gjetur të drejtë vendimarrjen e shkallës së parë.
Meta dhe Kryemadhi dyshohen nga Prokuroria e Posaçme për vepra penale të korrupsionit në lidhje me çështjen CEZ- DIA, për favorizimin e dy biznesmenëve dhe problemet e dyshuara me pasurinë.
Në mbrojtjen e tij, të publikuar në faqen online të Partisë së Lirisë, Meta ngre pretendime për secilën çështje për të cilën akuzohet. Për çështjen CEZ-DIA, ai pretendon se denoncuesit e tij gënjejnë për qëllime politike dhe ekonomike. Sipas tij, të gjitha faktet injorohen nga SPAK.
Në vijim, Meta e konsideron absurd konstatimin e SPAK për veprime të paligjshme për ndërhyrje në një ligj për minierat. Ai vëren se nuk e kupton se përse duhet të dyshohet për këtë rast, kur nuk ekziston emri i tij si Ilir Meta apo kryetar Kuvendi, në asnjë komunikim që SPAK përshkruan midis deputetëve Monika Kryemadhi, Përparim Spahiu e Ardit Kraja, si dhe të përfaqësuesit të shoqatës së minierave që ishte i interesuar për ligjin.
Meta hodhi gjithashtu poshtë dyshimet e ngritura për lobimin në Shtetet e Bashkuara apo për marrëdhëniet me biznesmenin Shatku, ndërsa i cilëson tendencioze edhe dyshimet për mosdeklarimin e shpenzimeve.
Meta sjellë në vëmendje se ka shpjeguar në SPAK se me plotësimin e formularëve të pasurisë merrej ish-bashkëshortja, e cila i ndiqte me avokat dhe noter të gjitha veprimet. “Unë kam qenë në mirëbesim të plotë se ajo çdo gjë e bënte sipas ligjit,” citohet Meta në dokumentin e publikuar.