Apeli lë në fuqi masën e arrestit të shtëpisë për Berishën

Tiranë, 25 janar 2024 – Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar la në fuqi të enjten masën e sigurimit arrest shtëpie për ish-kryeministrin Sali Berisha, ndërsa avokatët e tij lajmëruan se do të bënin rekurs në Gjykatën e Lartë.

Berisha është në hetim për veprën penale të korrupsionit së bashku me dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi, i cili akuzohet nga SPAK se ka përfituar të ardhura në vlerën e 5.4 milionë eurove nga një biznes ndërtimi në mënyrë të parregullt falë vendimeve të qeverisë të marra nga vjehrri i tij.

Si Berisha ashtu edhe Malltezi i kanë kundërshtuar akuzat dhe e kanë cilësuar hetimin si të orkestruar nga kryeministri Edi Rama.

Fillimisht ish-kryeministri pati një masë sigurimi detyrim paraqitje, por pasi ai refuzoi të shkonte në gjykatë duke e cilësuar masën antikushtetuese, Prokuroria e Posaçme kërkoi në dhjetor të vitit që shkoi miratim të Kuvendit për masë sigurimi shtrënguese “arrest shtëpie”.

Berisha apeloi këtë vendim dhe të enjten gjyqtarja e Apelit të Posaçëm Iliriana Olldashi vendosi ta rrëzojë ankimin dhe lërë në fuqi masën e sigurisë.

Berisha, 79 vjeç, është zyrtari më i lartë në tre dekada që përballet me një hetim të tillë, pas arrestimit dhe burgosjes kontroverse të ish-kryeministrit Fatos Nano në vitin 1993.

(Reporter.al)