Arben Malaj: Do të jem mandati +1 i mazhorancës së ardhshme

Kandidat i pavarur është optimist për zgjedhjet e 23 qershorit:   “Sfida ime nuk është personale por është për të nxitur një debat publik  për një model të ri politik kundër listave me deputetë memecë dhe manekinë”

 

Intervistoi Ruben Avxhiu

 

Përshëndetje zoti Malaj. Ju jeni duke kandiduar si i pavarur në qarkun e Vlorës. Pak ditë më parë “Illyria” shkroi për çeljen zyrtare të fushatës suaj zgjedhore. Ndërsa sot jeni këtu në SHBA. Cili është qëllimi i kësaj vizite?

Fushata edhe zyrtarisht ka filluar dhe është shumë intensive. Stafi i të rinjve dhe kolegët me të cilët bashkëpunojmë prej më shumë se tre vitesh lidhur me demokratizimin dhe modernizimin e politikës duke filluar nga partitë politike, më mirëkuptuan që të vij dhe marr pjesë në diplomimin e vajzës, ndërkohë që puna dhe takimet me mbështetësit vazhdojnë me intensitet. Si prindër ne jemi krenarë që Gerta diplomohet për matematikë nga Wellesley College, një prej shkollave shumë të mira amerikane, ku janë diplomuar Madeleine Albright dhe Hillary Clinton. Në këtë kolegj kanë studjuar disa studentë të talentuar shqiptarë.

 

Zoti Malaj, ju jeni, prej gati dy dekadash, një nga figurat më të njohura të Partisë Socialiste të Shqipërisë. Si ndodhi që figura si ju u mënjanuan nga listat e kandidatëve? Çfarë nuk funksionoi në organet vendim-marrëse të PS-së?

Ndjehem shumë mirënjohes ndaj vendit tim, ndaj PS-së dhe votuesve që më kanë mbështetur në karrierën time edhe politike. Ndryshimet jo transparente dhe të nxituara të kushtetutës në 2008, kalimi nga sistemi mazhoritar në atë proporcional me lista të mbyllura e dëmtoi demokracinë e brendshme të partive politike. Kryetarët e partive kanë pushtet abuiziv dhe e keqpërdorin  atë për të krijuar ekipet e besnikëve individualë.

Shumë politikanë shqiptarë lodhen të përsërisin se inspirohen nga demokracia amerikane, por në fakt, veprojnë si ballkanas tradicionalë në përqëndrimin dhe keqpërdorimin e pushtetit abuziv. Presidenti Lincoln mbahet mend për konceptin e ekipit të rivalëve. Ai do te thoshte se unë i “vras” armiqtë e mi duke i bërë miq, ndërsa në politikën shqiptare, mbisundon koncepti abuziv që “vret” apo  përjashton këdo që mendon ndryshe. Ndaj, e kam parë këtë moment jo si një krizë, por si  një mundësi të re për të vazhduar angazhimin për kufizimin e pushteteve të përqëndruara gjithnjë e më shumë në gjithnjë e më pak individë. Është një sfidë modeli politik, është sfidë  që duhet ta fitojme për të fituar të ardhmen.

 

Si është pritur kjo në Vlorë, me aq sa keni ju informacion? A ka zhgënjim dhe pakënaqësi për këtë mënjanim të disa figurave vlonjate, apo besnikëria partiake do t’i bëjë njerëzit të pranojnë këdo që do t’u japin në listë?

Konkurimi si kandidat i pavarur i ka rritur shpresat se me votë  mund të fillojmë ndryshimin pozitiv  në kulturën politike shqiptare.

Sfida ime nuk është personale, por është për të nxitur një debat publik  për një model të ri politik kundër listave me deputetë memecë dhe manekinë. Është sfidë për domosdoshmërinë dhe dobishmërinë e ndryshimit të kulturës së vjetëruar politike. Është sfidë për demokratizimin dhe modernizimin e partive politike, si parakusht për mirëqeverisjen e vendit. Është angazhimi për një model të ri në politikë, nëpërmjet të cilit ne do t’i mësojmë të rinjtë tanë të punojnë çdo ditë për të  kuptuar e ndërtuar fuqinë e tyre reale, duke i respektuar njerëzit, duke u angazhuar dhe përkushtuar për ta, duke u shërbyer në komunitet, nuk duhet  të nxisim modelin e të rinjve që bëjnë karrierë  me telekomandë, duke u bazuar vetëm tek  besnikëria servile ndaj individëve me pushtet, që vetëm përkohësisht mund t’ju dhurojnë mandate të pa merituara politike. Ky është detyrimi dhe angazhimi im konkret për një debat publik lidhur me modelin e promovimit dhe mbështetjes së të rinjve.

 

Dikur nuk mendohej që një parti e tretë të kishte peshë jashtë dyshes PD-PS. Kjo tabu është thyer disi në Shqipëri. Si në 2009 edhe në këto zgjedhje partitë e mëdha po bëjnë çmos të joshin të voglat. Sfida besohet se është shumë më e madhe për individët e pavarur. Ata që nuk kanë një parti nga pas. Si i mendoni shanset tuaja në këtë drejtim?

Nuk jam thjesht një individ që garoj, por jemi një ekip që synojmë një model të ri pozitiv të politikëbërjes dhe mirëqeverisjes, për një të ardhme shpresëplotë e më të mirë për Vlorën dhe vendin tonë. Nuk jemi thjesht një alternativë aritmetike, por një model me ide dhe vizion të qartë.

Në qarkun e Vlorës, pjesëmarrja në votime është 39% dhe për t’u zgjedhur mjaftojnë 8500 vota. Na duhet që në çdo 100 votues,  vetëm 8 prej tyre të votojnë për ne. Strategjia e fitores nuk bazohet tek zhurma e mitingjeve, por tek puna derë më derë dhe kokë më kokë me njerëzit. Ne kemi organzuar një fushatë  modeste por inspiruese, një fushatë me thelb dhe theks pozitiv. Çdo ditë, në orën 6 të mëngjesit ne nisim një urim për gjithë mbështetësit tanë të shoqëruar me foto plot ngjyra dhe dritë dhe në orën 24.00 ne raportojmë për aktivitet ditor. Jemi të angazhuar  të fitojmë bazuar në avantazhet tona  dhe jo thjesht në dështimin e të tjerëve. Duam të fitojmë duke rritur optimizmin dhe jo frikën për të ardhmen. Duam te fitojmë duke synuar rritjen e pjesëmarrjes në votime dhe jo thjeshtë luftën për rishpërndarjen e  votave. Ne besojmë se forca e inspirimit dhe angazhimit për ndryshim e krijon sinergjinë e fitores më shumë se çdo kalkulim aritmetikor.

 

Për çfarë do të ketë më shumë nevojë fushata e një kandidati të pavarur si ju?

Pjesëmarrje, sa më shumë pjesëmarrje në votime. Pozitivitet dhe vetëm pozitivitet. Larg çdo debati jo etik dhe përbaltosës. Optimizëm për të ardhmen dhe angazhim për një të ardhme më të mirë. Të rinj dhe sa më shumë të rinj ambiciozë, të përkushtuar, të mirarsimuar dhe aktivë në proces politik dhe jo dembelë nëpër kafenetë e vendit, apo të përgjumur deri në mëngjes në bingot dhe lojërat e fatit.  Dëshirojmë të promovojmë përkushtimin e përditshëm ndaj njerëzve dhe  meritokracinë si elementet kyç të një suksesi edhe politik. Një vend ecën i qartë drejt së ardhmes më të mirë, pikërisht, vetëm atëherë kur politikanët e tyre mendojnë për gjeneratën e ardhshme dhe jo për karrigen e rradhës.

 

Ju keni qenë shumë kritik ndaj kryeministrit Berisha. Mirëpo, disa njerëz në PS ju akuzojnë se me kandidimin tuaj të pavarur, jeni duke e ndihmuar Berishën. Si e shihni ju këtë punë?

Aktiviteti im është publik dhe lehtësisht i verifikueshëm. Kjo nuk përjashton mundësinë që individë të ndryshëm për interesa të ndryshme t’i thonë të bardhës të zezë dhe të zezës së bardhë, aq më tepër kur ky mentalitet bëhet pjesë e politikës përbaltuese brenda partive politike apo midis tyre.

Vendi ynë duhet dhe do të të ketë rotacion politik në 23 qershor. Ne politikanët  nuk duhet të përsërisim dështimet tona. Në politikë  i kam fituar përballjet publike dhe garat  politike  me modelin Berisha. Ky model i liderëve me pushtet absolut, që nuk e bazojnë suksesin e tyre tek zgjerimi dhe përmirësimi i lirive politike e ekonomike, që nuk nxisin ndarjen dhe kontrollin e pushteteve dhe funksionimin e shtetit ligjor, që krijojnë “mbretërinë” e tyre me  pushtet absolut  e abuziv, pengojne rritjen reale të  lirive dhe mundësive për një propsperim më të mirë të çdo individi që është garancia për prosperim të çdo vendi dhe kombi.

Jam optimist për fitoren më 23 qershor. Unë do të jem mandati +1 i mazhorancës së ardhshme. Do ta përdor votën time me përgjegjësinë maksimale ndaj  votuesve shqiptarë që në thelb  do të thotë do ta përdor për reformat e domosdoshme, do ta përdor për zgjidhjet e nevojshme dhe nuk do ta përdorë kurrë për të krijuar apo ushqyer ngërçe dhe kriza në vendin tim.

 

Kriza në KQZ tregon veç të tjerash edhe se partitë dyshojnë shumë te njëra-tjetra. Në fund të fundit, vjedhja e votave mbetet kërcënim real në Shqipëri. Po sa ka mundësi një kandidat i pavarur të mbrojë votat e tij? I parë si kundërshtar nga të dy partitë kryesore, a druheni se mund të ketë abuzime? A do të keni njerëzit tuaj në komisionet e qendrave?

Fitoren nuk e kam bazuar tek rihapja e kutive, por tek hapja e zemrës çdo ditë të kësaj fushate. Tek sa më shumë votues, kredibiliteti i KQZ-së dhe zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë prioriteti numër një i vendit, janë parakushti kryesore për çdo hap drejt integrimit europian. Rezultati i qartë dhe i respektushëm i zgjedhjeve do të mundësonte një qeverisje kredibël dhe do të plotësonte parakushtin themelor për integrimin, zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Çdo shpërdorim i administrimit partizan dhe militant të procesit të votimit dhe numërimit duhet ndalur, manipulimet mbeten të vogla kur pjesëmarrja është e madhe. Cilësia dhe efikasiteti i parlamentit rriten kur votohen më të mirët në listat e koalicioneve dhe jo thjesht të parët e listave besnike.  Mbikëqyrja e procesit të votimit dhe të numërimit është pjesë e strategjisë së fitores. Kemi një mbështetje publike në rritje  dhe një mundësi bashkëpunimi edhe me vëzhguesit vendas edhe të huaj.

 

Ju vetë si e parashikoni rezultatin e 23 qershorit? Kush do të qeverisë në katër vitet e ardhshme?

Vendi ka nevojë që zgjedhjet të prodhojnë zgjidhje për  sfidat e krizës ekonomike dhe për integrimin e tij. Vendi ka nevojë për një rotacion, i cili duhet të vijë nga vota e lirë dhe nga zgjedhje dhe me fitues kredibël. Koalicioni fitues i opozitës aktuale  pas 23 qershorit do të përballet shpejt me sfida shumë të rëndësishme. Vendi duhet të mos përsërisë dështimet e shkuara. Nuk ka më kohë për të humbur.  Zgjatimi i krizës aktuale në situatën pas zgjedhore është vrastare për të ardhmen tonë. Ndaj e ripërsëris, zgjedhjet duhet të afrojnë zgjidhje duke rritur përgjegjësinë e mirëqeverisjes. Nga aty fillon ndryshimi.

 

Me KQZ-në e përgjysmuar, me mosbesim reciprok, me akuza e kërcënime për përdorim dhune e abuzimi, a ka arsye të frikësohemi se 23 qershori mund të kthehet edhe në ditë dhune, apo që të ndiqet nga muaj të tërë pa zyrtarizim rezultati e qeverisjeje? Nga se druheni më shumë?

Nga dëmtimi i procesit parazgjedhor dhe sidomos nga risku i tensionimeve  gjatë numërimit deri në krijimin e qeverise së re. Ne, nuk duhet të dështojmë në mënyrë të përsëritur. Politika është krijuar për të shërbyer dhe për t’i dhënë zgjidhje pozitive sfidave që ka vendi.

 

Ju keni qenë disa herë në SHBA dhe madje keni ndjekur studime këtu. Kjo ju ka dhënë rastin që të njiheni më mirë me komunitetin shqiptaro-amerikan. Në shumicën e shteteve europiane, emigrantët dhe ata që jetojnë jashtë vendit kanë mundësi të votojnë. Ka madje shtete ku diaspora ka vende të rezervuara në parlament. A është e mundshme kjo në Shqipëri?

Komuniteti shqiptar në Amerikë është shumë i madh dhe rritet përditë. Ka shumë prindër, fëmijët e të cilëve studiojnë në SHBA dhe unë jam njëri prej tyre. Studentët  e mrekullueshëm që studiojnë në shkollat më të mira amerikane, biznesmenët që duhet të rrisin bashkëpunimin, studjuesit shkencorë, artistët dhe komunitetet e tjera, meritojnë të kenë sa më shumë mundësi reale për të kontribuar për vendin e tyre.

Përsa i përket çështjes së votës dhe përfaqësimit të tyre me vende në parlament, mendoj se kjo është një zvarritje e pajustifikueshme. Dhe në këtë drejtim, modelet dhe praktikat më të mira nga vendet e zhvilluara dhe demokratike nuk mungojnë. Një model i mirë për të ashtuquajturin “votim në mungesë” (absentee voting) aplikohet me sukses këtu në SHBA, i cili mendoj se mund të shërbejë si një pikënisje e mirë edhe për vendin tonë.

Mendoj qe hapi më i rëndësishëm duhet të vijë nga  vetorganizimi apo riorganizmi i përfaqësimit të  diasporës. Këtë ide ndava edhe në takimin me disa përfaqësues të tyre në New York.  Jo duke i shpërbërë, jo duke e filluar gjithmonë nga e para, jo duke i rritur keqkuptimet apo hezitimet midis shoqatave apo organzimeve të ndryshme të diasporës, mund të fillojë organizimi i saj në nivel  kombëtar deri në një  kongres/takim vjetor, mund të zgjedhin strukturat  drejtuese, mund të qartësojnë objektivat dhe kontributet konkrete duke e lehtësuar, thjeshtëzuar dhe përmirësuar edhe bashkëpunimin efektiv midis shtetit amë dhe diasporës së saj.

Është koha të nis ky riorganizm mbarëkombëtar, ku qeveria dhe partitë politike duhet të qëndrojnë sa më larg, ndërsa çdo anëtar i diasporës duhet të ndjehet pjesë e këtij riorganizimi dhe mundësie përfaqësimi edhe në politikë në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, e Mal të Zi.  Kjo duhet të krijojë sinergji pozitive, efekte dhe kontribute pozitive, çdo hezitim i metejshëm  është i dëmshëm, çdo vonesë është e pa justifikuar, çdo rivalitet sipas preferencave partiake apo krahinore për kontrollin e këtij riorganizimi mbarë kombëtar  mund  ta dëmtojë akoma më shumë përfaqësimin e diasporës. Njohja e modeleve organizative të diasporave të mirorganizuara dhe të  mirëpërfaqësuara të vendeve të tjera, mund të jetë një pikënisje shumë e mirë.

 

Cili është mesazhi juaj për angazhimin shqiptaro-amerikan në zhvillimet shqiptare?

Një mirënjohje e sinqertë për dashurinë dhe angazhimin e tyre në momente të vështira të vendit dhe një lutje miqësore që ta shikojnë Shqipërinë, vendin e tyre amë duke u angazhuar për ta mbështetur dhe promovuar pozitivisht  përherë me të njejtën dashuri.

Diaspora po  rritet çdo ditë, po rritet në numër dhe në cilësi. Ata kanë gjithnjë e më shumë pjestarë të mirarsimuar dhe të sukseshëm, të cilët duhet të kenë  të njejtën dashuri dhe përkushtim që kishin të parët e tyre në diasporë,  që luftonin për vendin e tyre me protesta paqësore por edhe në diplomacinë amerikane. Ata krijuan lidhje shpirtërore  të respektueshme me personalite të jetës  publike e politike në Amerikë dhe jashtë saj. Pushteti real i tyre nuk ishte fuqia e parasë, por ishte dashuria e pa kufishme dhe përkushtimi i pa kushtëzuar ndaj atdheut dhe kombit të tyre.

Sot të rinjtë e mirarsimuar dhe të suksesshëm, “diaspora e pas viteve 90”,  duhet të kuptojnë thelbin e suksesit të të parëve të tyre. Vetëm kështu ata mund të  bëhen gjithnjë e më shumë patriotë të mirë dhe të përkushtuar.

Ata kanë fatin të kenë studjuar në shkolla shumë të mira, të punojnë në kompani shumë të mira dhe në institucione ndërkombëtare, ata janë pjesë e networke-ve  të njerëzve me  influencë, por mund dhe duhet të kenë më shumë përkushtim dhe angazhim konkret edhe ndaj vendit të tyre.

Kombi ynë ka akoma shumë sfida përpara, ka nevojë gjithnjë e më shumë për miq dhe dashamirës, për mbështetës  në vendimmarrjet politike në DC dhe në Bruksel.

Diaspora është rruga më e drejtëpërdrejtë dhe kredible në promovimin e bashkëpunimit në nivel politik dhe në kominitetin e biznesit. Shpresoj shumë që impakti i tyre pozitiv do të vijë në rritje duke i kontribuar me shumë dashuri dhe krenari vendit tonë dhe kombit shqiptar.