Shkup, 15 shkurt 2024 – Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, bëri të ditur të enjten se do të kandidojë për president të Maqedonisë së Veriut në zgjedhjet e 24 prillit.
I shoqëruar nga tre drejtuesit kryesorë të opozitës, zoti Taravari e bëri publik vendimin në sheshin e qytetit të Gostivarit.
“Ka ardhur koha për një president shqiptar në Maqedoninë e Veriut, jo teknik, por president i vërtetë”, u shpreh zoti Taravari.
Zoti Taravari, i cili është mjek me profesion, tha se në garën presidenciale do ta ketë për lajtmotiv betimin e Hipokratit.
“Kur kam bërë betimin si mjek jam zotuar se në realizimin e profesionit tim nuk do të ndikojë feja, kombësia, raca, politika, apo ndarjet klasore”, theksoi ai.
Zoti Taravari tha se këto fjalë do të jenë thelbi i rolit të tij në detyrën që duhet të ketë një president kundrejt popullit dhe shtetit.
Zotit Taravari i duhet një fushatë për mbledhjen e dhjetë mijë nënshkrimeve të votuesve, pasi ai nuk arrin të sigurojë mbështetjen e 30 deputetëve për kandidaturën e tij, siç parashikohet me ligj.
Kandidatura e Taravarit pritet të mbështetet nga partitë shqiptare të opozitës, të cilat janë pjesë të Lëvizjes Evropiane për Ndryshim. Ai vetë tha se do ta kërkojë edhe mbështetjen e partive tjera shqiptare, pavarësisht prej dallimeve politike. Po ashtu, tha se pret edhe mbështetjen e komuniteteve tjera në vend.
Lajmi për kandidaturën e Taravarit vjen në një kohë kur Aleanca për Shqiptarët, në krye të së cilës është ai, është ndarë në dy fraksione. Nga tetë deputetë sa i ka kjo parti, vetëm dy e përkrahin zotin Taravari.
Përplasjet në Aleancën për Shqiptarët u thelluan pas njoftimit të zotit Taravari se po i bashkohej opozitës shqiptare në zgjedhjet parlamentare të 8 majit, ndërsa organet drejtuese të partisë sugjeronin që kjo parti të dilte e vetme në këto zgjedhje.
Deri më tash, asnjë kandidat shqiptar për President të Maqedonisë së Veriut nuk ka arritur të kalojë në raundin e dytë të zgjedhjeve. Disa analistë mendojnë se kandidimi i zotit Taravari mund të jetë bërë në bashkërendim me opozitën maqedonase. Kështu votat e shqiptarëve nuk do t’i shkojnë kandidatit të partive maqedonase në pushtet, por kanditatit të opozitës maqedonase.
Partitë kryesore maqedonase nuk i kanë shpallur ende emrat e kandidatëve të tyre për garën presidenciale. Burime brenda Lidhjes Social Demokrate në opozitë e lënë të hapur mundësinë e rikandidimit të presidentit aktual, Stevo Pendarovski, por si kandidatë të mundshëm përmenden edhe ish-ministri i Brendshëm, Oliver Spasovski, dhe sekretari i LSDM-së, Mile Zeçeviq.
Mediet e afërta me partinë kryesore të opozitës, VMRO-DPMNE, i përmendin si kandidatë të mundshëm deputeten Gordana Siljanovska dhe zyrtarin e kësaj partie, Aleksandar Spasenovski.
Zonja Siljanovska ishte candidate e VMRO-DPMNE-së në zgjedhjet e fundit presidenciale, por humbi përballë zotit Pendarovski, për të cilin votuan edhe një pjesë e mirë e votuesve shqiptarë.
(r.m.)