Bujanoc, 3 qershor 2024 – Arbër Pajaziti nga Fronti për Ndryshim e ka shpallur fitoren në zgjedhjet lokale në Bujanoc, të cilat u mbajtën të dielën.
Në një postim në facebook, ai i ka falënderuar të gjithë qytetarët që kanë marrë pjesë në zgjedhje.
““Falenderime plot 3,371 herë për të gjithë ju që votuat ‘Frontin për Ndryshim’, që besuat në këtë rrugë e cila shpie drejt një të ardhme më të mirë. Faleminderit për 10.800 shqiptarë të komunës së Bujanocit që votuan për njërën nga 4 listat tona si motra në këto zgjedhje. Faleminderit ju që përshkuat me mijëra kilometra nga vende të ndryshme të Evropës për të dhënë votën në atdheun tuaj. Bashkëvendës që punoni përkohësisht në Kosovë, faleminderit për mundin e treguar”, ka shkruar ai.
Pajaziti i ka falënderuar edhe komisionerët, aktivistët dhe simpatizantët e subjekteve politike për angazhimin e tyre, sikurse edhe rivalët politikë për kulturën demokratike.
“Falenderime edhe për rivalët tanë, të cilët si gjatë fushatës, ashtu edhe në ditën e zgjedhjeve, zgjodhën frymën demokratike të veprimit”, ka shkruar ai.
Pajaziti ka paralajmëruar se shumë shpejt do të krijohet shumica e re qeverisëse, duke theksuar se ajo do të jetë gjithmonë në shërbim të qytetarëve.
“Bashkëkombës të dashur, me këtë fitore na obliguat që të krijojmë një shumicë të re qeverisëse në Bujanoc. Atë edhe do ta bëjmë. Shumë shpejt. S’kemi kohë për të humbur, sepse na presin shumë punë. Vota e juaj është një amanet për të bërë një Bujanoc ndryshe. Gjithmonë në shërbimin tuaj!”, ka shkruar Pajaziti.
Kundërkandidati i tij, Ragmi Mustafi nga Partia për Veprim Demokratik, njëherësh këshilltar i zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi, e ka pranuar humbjen.
“Të dashur miq, zgjedhjet mbaruan dhe, për fat të keq, këtë herë nuk arritëm të fitojmë. Megjithatë, jam shumë krenarë për punën dhe përkushtimin që keni treguar gjatë gjithë fushatës. Faleminderit secilit prej jush për mbështetjen e palodhur, për besimin dhe përkushtimin. Ky nuk është fundi. Kontributi për idealet dhe aspiratat tona nuk mbaron”, ka shkruar Mustafi.
Në zgjedhjet lokale në Bujanoc kanë garuar 4 subjekte të shqiptarëve, 4 subjekte të serbëve dhe 1 subjekt që udhëhiqet nga minoriteti rom.
(r.m.)