Më shumë se 600 vjetë, menjëherë pas vdekjes së heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti Skenderbeu, në Itali jeton një komunitet shqiptar i ardhur nga krahina të ndryshme të Shqipërisë, si dhe nga arvanitasit e Greqisë, kryesisht nga zona e Peloponezit, Epirit, dhe ishujt e Jonit.
Arbëreshët e Italisë sot paraqesin një subtrakt kulturor e tradicional mjaft specifik në saje të ruajtjes me dashuri e fanatizëm të gjuhës, kulturës, besimit, mënyrës së jetesës, dokeve, e zakoneve.
Ata e ruajtën me plot dashuri edhe emërtimin arbëresh, duke e bërë këtë emërtim edhe pjesë zyrtare të administratës vendore.
Deri më tani janë bërë shumë studime dhe janë organizuar një sërë konferencash shkencore, të cilat kanë hedhur dritë mbi profilin kolektiv e individual të arbëreshëve dhe këmbënguljen e tyre për të ruajtur identitetin dhe prejardhjen në një ambient të huaj. Dhe një nga pyetjet më të shpeshta që bëhet aktualisht në qarqet shkencore është se si është e mundur që një komunitet i ardhur nga jashtë të ruajë identitetin e tij gjuhësor e kulturor. Për rrjedhojë ka ardhur vetvetiu edhe përgjigja se ka qenë krenaria për vendin e origjinës, që u bë edhe motivi kryesor i letërsisë arbëreshe, pastaj kompaktësia e jetesës së përbashkët në vendin ku u vendosën, ato që ndikuan në ruajtjen e identitetit të arbëreshëve. Kjo përpjekje shekullore për t’u dukur ndryshe nga të tjerët, bëri që arbëreshët të identifikoheshin lehtësisht nga vendasit për shkak të gjuhës së veçantë që përdornin në komunikimin e tyre të përditshëm.
Të vendosur në Jug të Italisë, kryesisht në Kalabri, Sicili dhe në disa zona të tjera, arbëreshët patën një favor vet ambientin rural që ndikoi në mosndikimin e madh të kulturës italiane në jetën e tyre të përditshme. Prandaj ne sot kemi katunde të tëra arbëreshe, ku koloriti gjuhësor i arbërishtes përbën shenjën dalluese në tabela rrugësh dhe institucionesh.
Por ky realitet nuk është gjithkund i pranishëm dhe sidomos në zonat urbane ku u vendosën arbëreshët e ku kontaktet me vendasit ishin më të mëdha. Kjo ndikoi që përgjatë dekadave e shekujve, arbëreshët nuk mundën t’i shpëtojnë asimilimit dhe tani sipas një statistike që është bërë nga hulumtimet shkencore rezulton që rreth 30 lokalitete arbëreshe janë asimiluar dhe e kanë humbur gjuhën dhe identitetin e origjinës duke u integruar në atë italiane.
Prandaj ky është edhe motivi qendror që sivjet ITSHKSH në kuadër të Ditëve të Alfabetit të trajtojë pikërisht çështjet identitare që lidhen me letërsisë, gjuhën dhe traditën arbëreshe, si një përpjekje për të reflektuar në ndërgjegjet tona për një mobilizim më të madh në shpëtimin e këtij komuniteti nga kthetrat asimilimit. Kjo edhe për faktin se aktualisht në të gjithë Italinë njihen zyrtarisht 50 komunitete arbëreshe, në të cilat jetojnë si rezidentë rreth 100.000 shqiptarë të Italisë. Prej tyre më të dalluara janë disa qarqe apo regjione, ku arbëreshët janë vendosur më masovikisht siç janë Kalabria, me rreth 60.000 banorë, të vendosur në 30 komuna dhe 3 qendra më të vogla banimi, kryesisht në provincën e Kozencës. Një komunitet i madh është vendosur në ishullin e Sicilisë, pranë Palermos, por edhe në zonat tjera ku arbëreshët jan të shpërndarë dhe nuk janë kompakt si në Kalabri dhe n Sicili.
Nëse i hedhim një sy hartës demografike, do të shohim se komunitetet arbëreshe më të mëdha për nga numri i popullsisë dhe territorit janë Piana degli Albanese (Hora Arbëresh) në Palermo, Spezzano Albanese, San Demetrio Corone (Shën Mitri), San Giorgio (Mbuzat), San Sofia d’Epiro (Shën Sofia e Epirit), Vaccarizzo (Vakarici) në provincën e Kozencës, San Marzano di San Giuseppe në Taranto etj.
Ndërkaq komunitete të konsiderueshme arbëreshë gjenden edhe në qendrat e mëdha të metropolit në Itali, si në Milano, Torino, Napoli, Bari, Cosenza, Crotone dhe Palermo. Gjithashtu, komunitete arbëresh që mbijetojnë fort dhe mbajnë akoma të gjallë gjuhën, traditat dhe kulturën e jetesës të vendit të tyre të origjinës gjenden edhe në SHBA, Kanada, Argjentinë dhe Brazil, si rrjedhojë e emigrimeve kryesisht në fund të shek. XIX e fillim të shekullit XX.
Neve si studiues na takon të hedhim më shumë dritë mbi specifikat e mbijetesës arbëreshe nëpër shekuj. Na takon të zbërthejmë edhe më tepër vitalitetin e arbëreshëve, të cilët, për më shumë se 6 shekuj e ruajtën identitetin e tyre nëpërmjet përdorimit të gjuhës shqipe, traditave, zakoneve, kulturës e mënyrës së jetesës, besimit e riteve fetare etj.
Vetëm duke e studiuar më hollësisht këtë komunitet, siç do të veprojmë edhe në ditët në vijim, përmes kumtesave e kontributeve shkencore, do të nxjerrim si përfundim se arbëreshët e Italisë paraqesin një nga rastet unikale në botë në ruajtjen e vetëdijes dhe krenarisë së tyre kombëtare, në saje të përkushtimit që treguan poetët, gjuhëtarët dhe muzikologët arbëreshë. Ky kontribut kolosal i tyre ka ndikuar që në truallin arbëreshë të kryhen eksplorime të shumta gjuhësore, folklorike e etnografike edhe nga studiues shqiptarë e të huaj, të cilët dëshmuan për begatinë identitare që ruajtën arbëreshët, që ishte edhe një hallkë e fortë lidhëse në mes të truallit të origjinës dhe arealit kulturor evropian. Prandaj jo rastësisht romantizmi evropian së pari trokiti në dyert poetëve arbëreshë, siç ishte rasti me Jeronim de Radën dhe me poemat e tij të famshme “Këngët e Milosaos”, “Serafina Topia” etj.
ITSHKSH me plot vetëdije iu ka qasë temës bosht që lidhet me letërsisë, gjuhën dhe traditën arbëreshe me qëllim të sensibilizimit të opinionit shkencor dhe jo vetëm, që ky komunitet i ynë të shpëtojë nga tendencat e asimilimit që po ndodhin si rezultat i kontaktit me vendasit por edhe i globalizimit në çdo aspekt të veprimtarisë njerëzore.
Insituti ynë para dy vitesh realizoi një vizitë studimore në disa vendbanime arbëreshe të Kalabrisë dhe studiuesit tanë janë kthyer me mbresa të thella nga këto treva të cilat dëshmojnë për një prezencë mjaft vitale të elementit arbëresh. Nga kjo vizitë përpos mbresave të pashlyera, na mbeti vragë në shpirt edhe tendenca gjithnjë e në rritje e asimilimit të arbëreshëve, që po vjen si rezultat i problemeve ekonomike dhe të zhvillimeve të diferencuara Jug -Veri, ku nevoja për punësim drejt Veriut të Italisë apo vendeve të tjera, po e bën të veten dhe për pasojë elementi arbëreshë dalngadalë po shkrihet në ambientet e mëdha urbane të Italisë. Kjo ikje e tyre drejt Veriut të zhvilluar ka sjellë si rrezik permanent fenomenin e braktisjes së vendbanimeve historike të arbëreshëve.
Mospërdorimi i gjuhës në komunikimin e përditshëm është hapi i parë drejt asimilimit dhe humbjes së identitetit arbëresh. Fatkeqësisht me një fenomen të tillë u ballafaquan edhe shqiptarët katolikë të Shkupit, tash e disa dekada më parë dhe tani na kanë mbetur vetëm disa fotografi dhe kujtime nga ata, për të dëshmuar se në Shkup dikur, para një shekulli, kishim një komunitet aktiv që ishte zëri më autentik i prezencës shqiptare këtu.
Prandaj edhe përpjekja jonë si studiues në kuadër të ITSHKSH është e orientuar drejt mobilizimit shkencor për një ndërgjegjësim më të madh kombëtar në ruajtjen e identitetit dhe traditës së lashtë arbëreshe, një objektiv ky që do të shpërfaqet gjatë ditëve në vijim në kuadër të Ditëve të Alfabetit që fillojnë sot dhe përfundojnë më 22 nëntor. Shpresojmë që në këtë mënyrë arbëreshët e Italisë, me gjithë potencialin tyre kulturor, në të ardhmen të jenë një gur kujtese në peshoren e ndërgjegjes sonë.
(Fjalë rasti në hapje të manifestimit tradicional “Ditët e Alfabetit”)