Federata Shqiptare e Futbollit njoftoi se fitoi ankesën në CAS që lejon Nedim Bajramin të jetë pjesë e Kombëtares së Shqiptarëve
Knid Ndrenika
Federata Shqiptare e Futbollit njoftoi se fitoi ankesën në CAS që lejon djaloshin tetovar Nedim Bajramin të jetë pjesë e Kombëtares së Shqiptarëve
Federata tha se Nedim Bajrami, lojtar i Empolit në Serinë “A” të Italisë, është tashmë zyrtarisht pjesë e Kombëtares që drejton Edi Reja.
Për shkak se Nedim Bajrami kishte luajtur me moshat e zviceranëve, UEFA kishte ndaluar kalimin e tij për Kombëtaren e Shqiptarëve.
Federata Shqiptare e Futbollit shpjegoi se prej disa muajsh kishte nisur procedurat për të bërë të mundur aktivizimin e Bajramit me Shqipërinë.
Por, sipas FSHF-së, “pas refuzimit të parë nga organet ndërkombëtare, Drejtoria Juridike e FSHF ju drejtua Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit Sportiv në Lozanë”.
“Pas përgatitjes së dosjes voluminoze, me të gjithë dokumentacionin e duhur, konsultimit me ekspertët më të mirë të drejtësisë dhe shumë orëve punë, FSHF arriti të triumfojë në CAS duke arritur të sigurojë shërbimet një lojtari që do ta ndihmojë shumë skuadrën tonë Kombëtare siç është shprehur edhe trajneri Edoardo Reja”-njoftoi federeta.
Në njoftim theksohet se çështja e Nedim Bajramit është gjyqi i dytë ndërkombëtar që fiton Federata Shqiptare e Futbollit.
Sipas federatës, kjo padiskutim një arritje shumë e rëndësishme për institucionin e futbollit në vend, që tregon se duke përgatitur procese të rregullta dhe punuar në mënyrë serioze, drejtësia triumfon, ashtu siҫ ishte rasti i gjyqit ndërkombëtar për ndeshjen Serbi-Shqipëri.
FSHF tha se ia uronte mirëseardhjen Nedim Bajramit si dhe suksese të mëdha me fanellën e shenjtë kuqezi.