Prishtinë, 21 qershor 2023 – Agjencia Kosovare për Regjistrimin e Bizneseve (ARBK) e ka shfuqizuar vendimin e saj për suspendmin e certifikatës së biznesit për televizionin “Klan Kosova”.
ARBK ka njoftuar se përfaqësuesi i autorizuar i Shoqërisë Tregtare “Klan Kosova Sh.P.K” e ka dorëzuar dokumentacionin plotësues, prandaj “kanë ndryshuar rrethanat faktike“ që kishin çuar në marrrjen e vendimit për pezullimin e certifikatës së biznesit javën e kaluar.
ARBK-ja ia ka përcjellë vendimin e ri Komisionit të Pavarur për Media (KPM) dhe kompanisë “Klan Kosova Sh.P.K”.
“Klan Kosova” i është drejtuar me shkresë zyrtare KPM-së për korrigjimet e bëra dhe për vendimin e ri të ARBK-së.
“Klan Kosova” i ka falënderuar të gjithë ata që janë angazhuar që ky proces administrativ të zhvillohet sipas ligjit: ambasadat e vendeve të QUINT-it në Kosovë, institucionet dhe organizatat ndërkombëtare e vendore të të drejtave të njeriut, medies, gazetarëve dhe lirisë së shprehjes, si edhe të gjitha mediet dhe kolegët gazetarë që janë solidarizuar pa asnjë hezitim.
“Klan Kosova” i ka falënderuar edhe institucionet e shtetit – ARBK-në dhe KPM-në – për korrektësinë dhe profesionalizmin e treguar në trajtimin e çështjes së kësaj kompanie.
(r.m.)