Bruksel, 14 shtator 2023 – Kryetari i Komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi, ka njoftuar të enjten se është takuar me Zëvendës-ndihmës Sekretarin Amerikan të Shtetit dhe të dërguarin e posaçëm të SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Arifi ka thënë se në takim është diskutuar mbi zhvillimet aktuale politike dhe veçanërisht për çështjen e Luginës së Preshevës. Ai ka thënë se ka kërkuar që ndaj Beogradit të ushtrohet trusni për të ndalar procesin ee pasivizimit t adresav të shqiptarëve në Luginë.
“Adresova shqetësimin e madh mbi privimin e të drejtave bazë të shqiptarëve në Luginë të Preshevës si dhe kërkova ndalimin e procesit të pasivizimit të adresave, proces i cili shkelë drejtpërdrejtë të drejtat elementare njerëzore”, ka shkruar ai në Facebook.
Arifi ka thënë se lidhja e ngushtë politike me SHBA-të është garancë për forcimin e Republikës së Kosovës.
“Lidhja e ngushtë politike me SHBA-në është e pandryshueshme dhe njëherit garancë për forcimin e Republikës së Kosovës. Sa më e fortë Kosova, po aq Lugina e Preshevës!”,ka theksuar ai.
Sipas informacioneve të autoriteteve lokale, rreth 8 mijë banorëve shqiptarë në Luginën e Preshevës u janë pasivizuar adresat. Kështu shteti serb ua pamundëson shqiptarëve pajisjen me dokumente identifikimi dhe, rrjedhimisht, ua pamundëson realizimin e të drejtave themelore të njeriut, përfshirë të drejtën për të zgjedhur dhe të drejtën për t’u zgjedhur në organet e pushtetit.
(r.m.)